Shtetet ‘e lëkundura’ të Amerikës, aty ku vendoset fati i zgjedhjeve presidenciale të SHBA

3 Nëntor 2020 | 19:35

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të vendosen nga një duzinë shtetesh, që mund të lëkunden mes presidentit republikan Donald Trump dhe sfidantit demokrat Joe Biden.

Shtetet në fjalë do të luajnë një rol kritik në dhënien e votave të 270 kolegjeve elektorale, që duhen për të marrë në duar drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.

Por për shkak të intensifikimit të votimit me postë si pasojë e coronavirusit dhe faktit se shtetet kanë rregulla të ndryshme për numërimin e votave, rezultatet mund të mos dalin ditën e zgjedhjeve.

Kështu, shtetet më të lëkundura janë:

Teksasi, me 38 vota elektorale, konsiderohet bastion i republikanëve, por së fundmi demokratët duket se kanë fituar terren. Këtu, votuesit duhet të jenë të kualifikuar për të votuar me postë. Këtë mund ta bësh nëse je më i moshuar se 65 vjeç, nëse je i sëmurë, apo nëse nuk je i pranishëm në kontenë përkatëse gjatë periudhës së votimit deri ditën e zgjedhjeve. Të gjithë votuesit mund të votojnë personalisht. Popullsia e një konteje përcakton se kur zyrtarët elektoralë mund të paraprocesojnë dhe numërojnë votat me postë.

Nëse konteja ka mbi 100 mijë banorë, votat mund të numërohen pasi qendrat e votimit të mbyllen në ditën e fundit të zgjedhjeve. Gjithashtu, votat mundet ende të numërohen edhe nëse mbajnë datën e 3 nëntorit por mbërrijnë pas ditës së zgjedhjeve. Për ushtarakët dhe votuesit që jetojnë jashtë, afati shtyhet deri më 9 nëntor.

Florida, me 29 vota elektorale. Këtu, zyrtarët mund të fillojnë skanimin e votave që tre javë para ditës së zgjedhjeve, por rezultatet nuk mund të dalin para se të mbyllen qendrat e votimit. Të gjitha votat duhet të mblidhen pasi qendrat zgjedhore të jenë mbyllur ditën e zgjedhjeve që të numërohen. Ndërkohë, fletët e votimit që përmbajnë gabime mund të shqyrtohen deri më 5 nëntor.

Pensilvania, me 20 vota elektorale, anon kryesisht nga demokratët. Këtu qendrat e votimit mbyllen në orën 8 të mbrëmjes. Ndërsa numërimi fillon që në 7 të mëngjesit të ditës së zgjedhjeve. Gjykata Supreme e Pensilvanisë vendosi më 17 shtator se zyrtarët elektoralë të shtetit mund të pranojnë votat me postë deri në tre ditë pas 3 nëntorit, për sa kohë, ato janë postuar brenda afatit të ditës së zgjedhjeve.

Shtete të tjera të lëkundura, që kanë karakteristikat e tyre janë: Xhorxhia, Nju Hempshër, Karolina e Veriut, Ohajo, Miçigan, Uiskonsin, Minesota, Arizona, Nevada dhe Ajoua.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara