Vala e dytë e COVID-19, mjekja Brunilda Marku: S’rekomandohen antibiotikët, pa efekt në infeksione virale
Në lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia, mjekia pneumologe, Brunilda Marku sqaroi për “Ilva Now” situatën në Itali ku tregoi se me afrimin e periudhës së dimrit e gjithë popullsia në Itali është ftuar të bëjë vaksinën.
Sipas asaj që tha mjekia kjo do të bënte më të lehtë diferencimin mes infektimit me COVID-19 dhe gripit të zakonshëm.
“Është një këshillë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë,” – u shpreh Marku teksa theksoi edhe njëherë rëndësinë e vaksinimit.
“Vështirësitë janë jo vetëm në Shqipëri, vështirësitë janë edhe në Itali. Unë para pak javësh isha më optimiste ndërsa tani optimizmi ka filluar të bjerë sepse kurrë ndonjëherë nuk e mendoja se do të ktheheshim si në periudhën e marsit. Jemi kthyer mbase dhe më keq,” – tha mjekia pneumologe sa i takon situatës në Itali.
Ajo tregoi se fakti që nuk arrin t’i bësh ballë një fluksi jashtëzakonisht të madh njerëzish është pikërisht problemi më i madh i pandemive.
Pyetur nga gazetarja Ilva Tare nëse kjo është më e keqja që mund të ndodhë apo jemi ende në pritje, Brunilda Marku nuk bëri asnjë parashikim ama tha se shpreson në sensibilizimin e njerëzve për përmirësimin e situatës.
Ndërkaq sa i përket shifrave të larta të vetëvrasjeve në Itali mjekia ju referua problemeve që vijnë si pasojë e mungesës së oksigjenit.
“Një mungesë oksigjeni për organet vitale siç janë zemra dhe truri, që janë dy organet më të rëndësishme, mund të shkaktojë dhe çrregullime në sistemin nervor,” – sqaroi ajo teksa solli në vëmendje se e njëjta gjë nuk ndodh me pacientët që kanë tepri oksigjeni.
Mjekia nuk shmangu dhe gjendjen shpirtërore dhe psikologjike si faktorë që shkaktojnë rastet e vetëvrasjes.
Sipas saj komunikimi me familjarët apo mbështetja e dhënë nga mjekët janë elementë që do të ndihmonin në përmirësimin e kësaj situate.
Në Itali, për pacientët që janë në gjendje kritike dhe kanë nevojë të përshëndesin patjetër familjarët e tyre, ju është dhënë e drejta për të takuar një familjar të vetëm, të veshur ashtu siç duhet dhe vetëm 5 minuta, gjë që i ndihmon shumë gjendjes psikologjike dhe emocionale të pacientit.
“Unë e kuptoj dhe vështirësinë e qeverisë dhe vështirësinë tonë sepse njerëzit nga njëra anë duan të festojnë nga ana tjetër nuk duan të sëmuren por duhet të bëjmë një tip kompromisi me veten ,” – tha mjekia në fjalën e saj teksa shtoi se në këtë situatë që gjendet Italia, vendimi për hapjen u dha shumë shpejt dhe liria ishte e tepruar.
Ndërkaq Brunilda Marku tregoi se protokollet në Itali janë të njëjta që nga marsi dhe foli gjithashtu për sasinë e oksigjenit që duhet të kenë pacientët.
“Mbi 94, 95 janë vlera që pacientët duhet të rrinë të qetë. Për pacientët që janë mbi moshën 70-80 vjeç, mbi 94 e lartë është mëse normale, por nëse shkon 94, 93 për moshat e reja është sinjal alarmi,” – sqaroi mjekia.
Ajo apeloi për marrjen e oksimetrit në shtëpi duke theksuar se përgjithësisht pacientët nuk kanë probleme me frymëmarrjen dhe nuk e kuptojnë që furnizimi me oksigjen në trupin e tyre nuk po ndodh siç duhet.
Marku sqaroi se nuk ka një protokoll të qartë mjekimi. Për pacientët me simptoma të lehta jepet paracetamol dhe sugjerohet të pinë shumë lëngje ndërsa nëse ka komplikacione mjekimi ndryshon.
Një mesazh që mjekia pneumologe përcolli është se përdorimi i antibiotikëve nuk ndikon te përmirësimi i gjendjes së virusit dhe shtoi gjithashtu se secili pacient duhet të marrë dozën e mjekimit të përcaktuar nga mjekët.
Sa i përket rasteve me ri-infektime Brunilda Marku tha se në Itali nuk ka pasur diçka të tillë.
“Imuniteti mban por dhe mesazhi që duhet t’i shkojë pacientëve që kanë kaluar COVID nuk duhet të mendojnë se e kanë kaluar e tani nuk do ju vijë më. Shpresojmë edhe ne te vaksina dhe imuniteti që do të japë vaksina,” – përfundoi Marku.
Ndiqni intervistën e plotë:
Linda Rama rrëfen hapat e karrierës së saj përballë gazetares Ilva Tare
Kultura dhe dialogu politik në Shqipëri, sipas optikës së Linda Ramës
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotet ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë dëshmorit të atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
- 09:11 SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
- 09:08 Policia del me njoftim zyrtar: Si u vra efektivi dhe u plagos kolegu i tij, detajet nga operacioni
- 08:50 Një mbeti i vrarë dhe tjetri u plagos, zbardhen emrat e efektivëve që u qëlluan me armë në Maliq