Klubi i Skënderbeut njoftoi mesditën e së dielës për largimin nga detyra të trajnerit Julian Ahmataj.
Dyzetenjëvjeçari elbasanas është larguar nga drejtimi i skuadrës gjashtë muaj pas angazhimit dhe shkak për këtë është bërë humbja 4-0 që korçarët pësuan të shtunën kundër Kukësit, humbje e cila i zbriti ata në vendin e fundit të renditjes.
Ky është trajneri i tretë që largohet në pak javë pas Nevil Dedes nga Tirana dhe Skënder Gegës nga Kukësi. Lajmi i largimit të Ahmatajt u konfirmua përmes një postimi në Facebook në të cilin u tha se klubi dhe trajneri kanë prishur marrëveshjen e tyre me mirëkuptim.
“Ju njoftojmë se pas një bisede mes palëve , Klubi i Futbollit “Skënderbeu” dhe Julian Ahmataj kanë mbyllur marrëveshjen e bashkëpunimit me mirëkuptim. KF Skënderbeu falenderon ish-trajnerin bardhekuq për përkushtimin dhe punën e mirë të zhvilluar gjatë kohës që ishte në drejtimin e ekipit. I urojmë Ahmataj shumë suksese dhe fat në të ardhmen!” – njoftoi Skënderbeu.
Ahmataj, i cili u tërhoq nga futbolli i luajtur në vitin 2015, ka drejtuar më parë skuadra si Teuta, Flamurtari dhe Tirana. Ai u angazhua nga Skënderbeu në gusht të vitit 2020.
Gjatë këtij sezoni Skënderbeu ka humbur me rezultate të thella edhe ndaj Partizanit dhe Vllaznisë – 4-0 dhe 5-1. Në dhjetë ndeshjet e fundit korçarët kishin mundur të fitonin vetëm një takim, atë ndaj Bylisit 4-3 më 30 dhjetor.
Pas 17 javësh kampionat, Superliga kryesohet nga Vllaznia me 36 pikë, e cila sot përballet me Partizanin e vendit të dytë që ka 9 pikë më pak se ata.
Skënderbeu, tetë herë kampion i Shqipërisë, dominues i futbollit vendas në dhjetëvjeçarin e shkuar duket se është në një krizë të vështirë rezultatesh dhe rendimenti, pasi aktualisht ndodhet në vendin e 10-të në kuotën e 12 pikëve, 24 më pak se Vllaznia.