Zvastika e kërcënime me vdekje, lufta në Izrael nxit valë antisemitizmi në Evropë
Gjatë javës së kaluar, hebrenjtë që jetojnë në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, janë zgjuar me një pamje rrëqethëse – Yjet e Davidit janë stampuar në dyert e përparme të blloqeve të tyre të apartamenteve. Policia thotë se ka pasur vetëm tre incidente të tilla. Por për shumë, ato janë jehonë e dhimbshme e viteve 1930, kur nazistët shenjuan bizneset në pronësi të hebrenjve dhe i kërkuan publikut të bënte pazar diku tjetër. Mbishkrimet pasqyrojnë një rritje të madhe të kërcënimeve dhe fyerjeve të drejtuara ndaj hebrenjve në Gjermani pas sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, kur persona të armatosur vranë më shumë se 1400 civilë dhe ushtarë izraelitë, si dhe rrëmbyen dhjetëra të tjerë. Aktivistët palestinezë festuan sulmin duke shpërndarë ëmbëlsira në rrugët e Berlinit.
Felix Klein, komisioneri qeveritar për mbrojtjen e hebrenjve në Gjermani, tha se hebrenjtë e vendit ishin “të tmerruar nga antisemitizmi i shfaqur nga grupet myslimane dhe organizatat e ekstremit të majtë”. Tensione të tilla ndëretnike mund të përkeqësohen me rritjen e dhunës.
Izraeli u ka thënë 1.1 milion banorëve në veri të Gazës që të largohen nga shtëpitë e tyre përpara një pushtimi të pritshëm tokësor në shkallë të plotë, ndërsa forcat izraelite vazhdojnë bombardimet e tyre në Gazën e mbipopulluar. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thonë se më shumë se 2,300 njerëz – shumë prej tyre gra dhe fëmijë – janë vrarë në enklavë që nga fillimi i bombardimeve.
Ndërsa konflikti thellohet, hebrenjtë anembanë Evropës kanë frikë se mund të bëhen objektiv i zemërimit të myslimanëve për operacionin ushtarak në Gaza. Tensionet janë veçanërisht të larta në Francë, ku ndodhet një popullsi e madhe myslimane dhe komuniteti më i madh hebre pas Izraelit dhe SHBA-së. Shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme ka shkaktuar shpesh një rritje të incidenteve antisemitike. Të shtunën, ministri i Brendshëm francez Gérald Darmanin tha se kishte pasur 189 kërcënime dhe 65 arrestime për komente ose akte antisemitike në Francë, që nga nisja e luftës mes Izraelit dhe Hamasit.
Pharos, një platformë në internet që lejon njerëzit të raportojnë gjuhën e urrejtjes, ka regjistruar 2,449 raste antisemitizmi.
“Shumica e incidenteve janë mbishkrime të svastikave ose slogane si “vdekje e hebrenjve” dhe thirrje për kryengritje palestineze”, tha Darmanin për radion France Inter të enjten. Por ka pasur dhe raste më serioze, si njerëz të arrestuar me armë në shkolla ose sinagoga, ose një dron që fluturonte mbi një qendër kulturore hebraike. Në Sarcelles, një periferi veriore e Parisit me një komunitet të madh hebre, rabini René Taieb tha se shumë prindër hebrenj i kishin mbajtur fëmijët e tyre larg shkollës të premten, në përgjigje të rritjes së kërcënimeve antisemitike në mediat sociale. “Në disa shkolla në Val-d’Oise [një departament në veri-perëndim të Sarcelles], nga 600 nxënës, as 60 nuk u paraqitën,” tha Taieb, i cili drejton një komunitet hebre me 40,000 persona në rajon.
“Vetë mësuesit nuk donin që prindërit t’i sillnin fëmijët e tyre në shkollë”- shtoi ai.
Frika vjen gjithmonë e në rritje pasi një burrë vrau një mësues gjatë një sulmi me thikë në një shkollë në Francën veriore të premten. Një incident që Presidenti Emmanuel Macron tha se tregon “barbarizmin e terrorit islamik”. Edhe pse sulmi nuk është kategorizuar si antisemitik, udhëheqësit hebrenj në Francë dhe zyrtarët e qeverisë kanë gjetur lidhje me konfliktin izraelito-palestinez. “Sipas inteligjencës sonë, ka një lidhje për fat të keq. midis asaj që ka ndodhur në Lindjen e Mesme dhe këtij akti,” tha Darmanin.
Robert Ejnes, drejtor ekzekutiv i Crif, këshilli i shoqatave hebreje në Francë, tha se duke iu referuar historisë, përshkallëzimi i konfliktit arabo-izraelit rrit sulmet mbi hebrenjtë në Evropë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Policia Metropolitane tha se midis datave 29 shtator dhe 12 tetor kishte pasur 75 raportime për vepra antisemitike, nga 12 që ka patur në të njëjtën periudhë të vitit 2022. Incidentet e raportuara në polici u shtuan shtatëfish nga viti në vit, nga 14 në 105. Tre Shkollat hebraike në veri të Londrës u mbyllën përkohësisht për arsye sigurie.
Konflikti Izrael-Hamas duket se ka prekur dhe komunitetin hebre të Italisë. Vendet publike janë dëmtuar nga mbishkrimet antisemite, duke përfshirë svastika dhe slogane që lavdërojnë Hamasin. Shkrimet “djegie e hebrenjve në furrë” u skalitën në muret e një spitali në Milano. Ruth Dureghello, ish-presidente e komunitetit hebre të Romës, tha se kishte frikë se situata mund të përkeqësohej pasi Izraeli po intensifikon reagimin e tij ushtarak në Gaza.
“Në fillim, e gjithë bota ishte me Izraelin – nuk kishte asnjë mënyrë për të qenë në anën tjetër,” tha ajo, duke shtuar se perspektiva “tashmë po ndryshon”.
Në të gjithë Evropën, autoritetet shtuan sigurinë në sinagoga, shkolla hebraike dhe institucione të tjera. Darmanin tha se qeveria franceze do të “shpërndajë burimet financiare dhe njerëzore për aq kohë sa të jetë e nevojshme për të ndihmuar në sigurimin e popullit hebre në Francë”. Qeveria franceze ka ndaluar gjithashtu të gjitha protestat pro-palestineze për shkak të shqetësimeve se ato mund të “prishin rendin publik”.
Pavarësisht ndalimit, turma të mëdha u mblodhën në Paris të enjten, duke brohoritur “izraelitët janë vrasës” dhe “Macron – bashkëpunëtor”. Protestuesit u shpërndanë nga policia duke përdorur gaz lotsjellës.
Edhe autoritetet në Berlin kanë ndaluar protestat pro-palestineze, një lëvizje që disa grupe të të drejtave e kanë dënuar si një shkelje të lirisë së fjalës.
Ndjenjat anti-izraelite në Gjermani kanë qenë më të spikatura në shkolla, veçanërisht në qytete me popullsi të madhe myslimane si Berlini.
Klein tha se disa fëmijë po shkonin në klasa me flamuj palestinezë dhe duke spërkatur mbi mure mbishkrime anti-sioniste./ Financial Times
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 09:59 Presidenti Begaj reagon për vrasjen e efektivit në Korçë: Policia nuk do të zbrapset
- 09:53 Vrasja e policit në Maliq, reagon ministri i Brendshëm: Dënoj me forcën më të madhe këtë akt kriminal
- 09:44 U plagos në Lozhan të Maliqit, efektivi i ‘Shqiponjave’ niset me helikopter drejt Traumës
- 09:33 Vrasja e policit në Korçë, reagon Rama: Nderim përjetë Dëshmorit të Atdheut
- 09:31 Vrau një polic dhe plagosi një tjetër, del fotoja e autorit të ngjarjes së rëndë në Maliq
- 09:24 Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West