Mbi 3.600 fëmijë palestinezë të vrarë gjatë tri javësh luftë

2 Nëntor 2023 | 12:06

Më shumë se 3.600 fëmijë palestinezë janë vrarë në 25 ditët e para të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi. Ata janë goditur nga sulmet ajrore, nga raketat e lëshuara gabimisht nga militantët, janë djegur nga shpërthimet dhe janë shtypur nga rrëzimi i ndërtesave, tha ministria. Po ashtu, sipas kësaj ministrie, në mesin e viktimave ka të porsalindur dhe fëmijë të vegjël.

Pothuajse gjysma e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh në Rripin e Gazës janë nën moshën 18-vjeçare dhe fëmijët përbëjnë 40 për qind të personave që janë vrarë deri më tani gjatë luftës. Sipas analizës që AP i ka bërë të dhënave të publikuara javën e kaluar nga Ministria e Shëndetësisë në Gazë, deri më 26 tetor, 2.001 fëmijë të moshës 12 vjeç dhe më poshtë ishin vrarë, përfshirë edhe 615 fëmijë që ishin 3 vjeç apo më të vegjël.

“Kur shtëpitë shkatërrohen, ato shemben në kokat e fëmijëve”, tha të mërkurën shkrimtari Adam al-Madhoun, teksa po qëndronte në një spital në Gazë me vajzën e tij katërvjeçare. Ajo i mbijetoi një sulmi ajror, në të cilin iu këput krahu i djathtë, iu shtyp këmba e majtë dhe pësoi çarje të kafkës.

Izraeli tha se sulmet ajrore shënjestrojnë caqet e militantëve të Hamasit dhe infrastrukturën dhe ka akuzuar grupin se po përdor civilët si mburoja njerëzore. Po ashtu tha se mbi 500 raketa të militantëve, gabimisht kanë goditur caqe në Gazë, duke vrarë një numër të panjohur të palestinezëve.

Sipas Save të Children më shumë fëmijë janë vrarë gjatë tre javëve në Gazë sesa në të gjitha konfliktet në mbarë botën në tre vjetët e fundit. Për shembull, sipas kësaj organizate, 2.985 fëmijë janë vrarë në dhjetëra zona të konfliktit gjatë vitit të kaluar.

“Gaza është shndërruar në varrezë për mijëra fëmijë”, tha James Elder, zëdhënës i UNICEF-it, agjencisë për fëmijë të Kombeve të Bashkuara.

“Është mallkim të jesh prind në Gazë”, tha Ahmed Modawikh, nga qyteti i Gazës, jeta e të cilit është shkatërruar pasi vajza e tij 8-vjeçare u vra gjatë luftimeve pesëditore në muajin maj.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima

Ushtria amerikane sulmoi një anije të akuzuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor të mërkurën, duke vrarë dy burra, ndërsa administrata Trump zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të...
14:12 | 04/06/2026

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026