Mbyllet procesi i votimit në Kosovë, KQZ: Pjesëmarrja 46.98%

14 Shkurt 2021 | 19:18

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë thotë se në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit kanë votuar rreth 834 mijë qytetarë me të drejtë vote ose thënë ndryshe kanë votuar 46.98%.

Lista zgjedhore përmbante rreth 1.8 milionë votues, rreth 143 mijë më pak se në zgjedhjet e tetorit të 2019. Në krahasim me zgjedhjet e tetorit 2019, pjesëmarrja është pak më e lartë pasi dy vite më parë votuan 44.72%.

Këto janë zgjedhjet e teta parlamentare që prej vitit 1999 që mbahen në Kosovë, ndërsa ka nisur procesi i numërimit të votave, të gjitha Exit Poll-et parashikojnë një fitore bindëse të Lëvizjes Vetëvendosje.

19:05-Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit

Ora 19:00, shënon afatin e fundit zyrtar për të ushtruar të drejtën e votës, por ndërkohë procesi vijon në shumë vendvotime ku ndodhen votuesit e fundit në pritje.

Sipas rregullit, qytetarët që janë brenda qendra të votimit kanë të drejtë të hedhin votën pavarësisht kalimit të afatit zyrtar.

Me mbylljen e procesit të votimit, nis direkt procesi i numërimit të votave dhe pritet që brenda pak orësh të publikohen dhe rezultatet e para.

Ndryshe nga se ndodh në Shqipëri ku kemi grumbullim të kutive në qendrat e numërimit të votave, procesi i numërimit të votave në Kosovë kryhet në qendrat e votimit.

17:30-Njësi speciale për t’iu mundësuar të prekurve me COVID-19 të drejtën e votës

Rreth 140 ekipe të veçanta me mjekë, policë dhe specialistë të zgjedhjeve, kanë qenë gjatë ditës së sotme në terren për t’u mundësuar të drejtën e votës në shtëpi personave dhe familjarëve të prekur nga COVID-19 në Kosovë, të cilët për shkak të infektimit janë detyruar të izolohen.

17:00-Pjesëmarrja në zgjedhje sipas DnV 37.3%

Koalicioni i organizatave jo-qeveritare për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë, “Demokracia në Veprim” (DnV) njoftoi se deri në orën 16:00 përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje ishte 37.3%, çka konfirmoi raportimin e mëparshëm se gjatë këtyre zgjedhjeve ka pasur rritje të pjesëmarrjes. Nga komunat me shumicë shqiptare Prishtina dhe Ferizaj janë ato që kanë daljen më të madhe në votime, mbi 40 për qind.

16:45-Pjesëmarrje e lartë votuesish në komunat me shumicë serbe

Nga 32.8% e pjesëmarrjes së përgjithshme të votuesve në të gjitha komunat e Kosovës, përqindja më e lartë ka qenë në komunat me shumicë serbe si Zubin Potok (63.32%), Leposaviq (61.46%) dhe Zveçan (60.33%) dhe përqindja më e ulët në komunat Dragash (20.15%), Junik (25.63%) dhe Klinë (26.75%).

16:30-Ambasadori amerikan Philip Kosnett thirrje për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka inkurajuar qytetarët e Kosovës që të mos stepen nga bora apo pandemia e COVID-19 për të votuar. Kosnett u ka bërë thirrje qytetarëve që të denoncojnë çdo parregullsi te autoritetet, apo te mediat në mënyrë që “zgjedhjet të jenë të lira dhe të ndershme”.

15:30- Deri në orën 15:00 pjesëmarrja është 32.34%

Përmes një konference për mediat Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri me dije se pjesëmarrja e qytetarëve që i janë drejtuar kutive të votimit është 32.34%.

 

15:15-Denoncimi i AAK: Sondazhet që po qarkullojnë kanë për qëllim të dezinformojnë votuesin

Anëtarja e kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla në një deklaratë për mediat tha se në terren po qarkullojnë disa sondazhe që sipas saj po bëhen me qëllim të manipulimit me opinionin publik.

Ajo deklaroi se po bëhet përpjekje të dezinformohen votuesit dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë vetëm në rezultatet që dalin pasi të mbyllen kutitë e votimit.

14:20- Deri në orë 13:00 kanë votuar 19.8% e votuesve

Procesi i votimit në Kosovë po vazhdon të vëzhgohet nga koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim me qëllim të informimit të rregullt të publikut mbi mbarëvajtjen e këtij procesi.

Sipas raportimeve të vëzhguesve të DnV-së, që nga fillimi i procesit të votimit deri në orën 13:00, dalja e qytetarëve në votim në nivel vendi është raportuar të jetë 19.8%.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në votime e ndarë sipas rajoneve e nxjerr Prishtinën 2% më lartë se mesatarja në nivel vendi. Ndërsa, dalja në Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë sillet në kuadër të mesatares së përgjithshme. Gjakova dhe Peja kanë regjistruar dalje më të ulët për 2% ndërsa dalja në Prizren është edhe më e ulët përkatësisht 4% më e pak se mesatarja në nivel vendi. Për dallim, në komunat me shumicë serbe dalja ka tejkaluar për 10% mesataren e daljes në nivel vendi”, thotë DnV.

11:45-KQZ: Deri në orën 11:00, pjesëmarrja më e ulët në 4 palë zgjedhje në Kosovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë bëri me dije se deri në orën 11:00 pjesëmarrja e zgjedhësve në votime është 8,3 për qind145.650 votues nga numri i përgjithshëm 1 milion e 794 mijë e 862,

Në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, jehona e votuesve deri në orën 11:00 ishte 174 mijë e 669 votues ose 9.64 për qind.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, deri në ora 11:00 sipas KQZ-së kishin votuar 168 mijë e 616 votues apo 9.46% e votuesve.

Tri vjet më vonë, në zgjedhjet e qershorit 2017, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në ora 11:00 kishin votuar gjithsej 150 mijë e 244 votues, që në përqindje janë gjithsej 8.45 për qind.

11:05-Isa Mustafa: Shpresoj që qytetarët të votojnë për demokratizimin e mëtejshëm të vendit

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka ftuar qytetarët që të dalin të votojnë për demokratizimin e mëtutjeshëm të vendit për zhvillim ekonomik, për prosperitet dhe për forcim të shtetit të Kosovës.

“Ftoj të gjithë qytetarët në këtë ditë edhe pse jo të përshtatshme për votim për shkak të motit të keq që të dalin të votojnë ta kryejnë një obligim qytetarë.

Shpresojë që të gjithë qytetarët do të votojnë për demokratizimin e mëtutjeshëm të vendit për zhvillim ekonomik, për prosperitet dhe për forcim të shtetit të Kosovës. Suksese urime”, tha Mustafa.

10:30-Vjosa Osmani fton gratë dhe vajzat të marrin pjesë në zgjedhje: Barazia fillon te kutitë e votimeve

Ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës të dalin masivisht për të votuar në zgjedhjet e sotme parlamentare.

Osmani e cila garon si e dyta në listën e kandidatëve për deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi shfrytëzoi të drejtën e saj për të votuar, ftoi veçanërisht gratë dhe vajzat e Kosovës që të marrin pjesë në këtë proces, pasi pohoi se barazia fillon te kutitë e votimeve.

10:00-Voton Albin Kurti: Kosova si shtet i pavarur sot i kthehet popullit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosja ka hedhur votën e tij pak para orës 10: 00 të paradites së sotme teksa në një prononcim për mediat e ka cilësuar të sotmen një ditë të bardhë e të shndritshme si e ardhmja që e pret Kosovën.

Ai i bëri thirrje qytetarëve që të votojnë në mënyrë që Kosova si shtet i pavarur t’i kthehet popullit.

09:56-Ramush Haradinaj: Këto zgjedhje janë më rëndësi, t’iu japim legjitimitet institucioneve të Kosovës

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi hodhi votën e tij për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë.

Ai tha se këto zgjedhje janë të rëndësishme pasi që vendin e presin sfida të mëdha.

09:55: Voton Hoti: Qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar

Kandidati i Lidhjes Demokratike për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti pasi ka votuar ka ftuar gjithë qytetarët me të drejtë vote që të dalin të votojnë në zgjedhjet parlamentare.

I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Hoti tha se sot është dita kur flasin qytetarët.

​09:03-Bora bllokon Prizrenin, PDK kritika komunës: Papërgjegjësi e pushtetit lokal

Reshjet e borës që kanë rënë që nga dita e shtunë ka shkaktuar probleme në qarkullim.

Me këtë rast ka reaguar dega e Partisë Demokratike e Kosovës në Prizren të cilët kanë akuzuar komunën për mospastrim të rrugëve, duke pas parasysh edhe se sot po mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Nëpërmjet një reagimi thuhet se janë bllokuar disa fshatra dhe po ashtu rrugët e qytetit të Prizrenit nuk janë të mira. Mosangazhimi për pastrimin e rrugëve, sipas PDK-së së Prizrenit dëshmon për papërgjegjësinë e pushtetit lokal që udhëhiqet nga Mytaher Haskuka.

09:00- Ambasada e SHBA: Votoni, e ardhmja e Kosovës është në duart tuaja

Ambasada e SHBA në Kosovë ka ftuar qytetarët që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votim.

Përmes një postimi në rrjete sociale, thuhet se në këtë Shën Valentin duhet të tregohet dashuri për vendin.

“Këtë Shën Valentin tregoni dashurinë tuaj për vendin dhe familjen tuaj. Votoni! E ardhmja e Kosovës është në duart tuaja”, shkruan Ambasada e SHBA.

07:33- Hapen qendrat e votimit në veri të Mitrovicës

Të gjitha qendrat e votimit në veri të Mitrovicës janë hapur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që mbahen sot në Kosovë. Qytetarët pritet të votojnë përfaqësuesit e rinj në parlament. 

07:00- Nis procesi i zgjedhjeve në Kosovë, voton Valdete Daka

Votën e parë e ka hedhur kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), Valdete Daka.

Znj. Daka ka votuar në orën 07:00 me hapjen e vendvotimeve dhe ka kërkuar nga qytetarët që t’i përmbahen rregullave për pandeminë ndërsa subjekteve politike të respektojnë ligjin mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe Kushtetutën e Kosovës.

KQZ-ja ka pranuar mbi 43 mijë pako me fletëvotime, të dërguara me postë nga qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës. Në këto zgjedhje garojnë 28 subjekte politike: 21 parti politike, dy koalicione dhe pesë iniciativa qytetare, me 1.052 kandidatë të cilët garojnë për 120 mandate në Kuvendin e Kosovës. Për këto zgjedhje janë akredituar rreth 30 mijë vëzhgues.

Në garë për këto zgjedhje janë regjistruar 28 subjekte politike, 21 prej të cilave parti, 2 koalicione dhe 5 iniciativa qytetare.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026