SHBA po shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ndihma në Gazë

29 Shkurt 2024 | 09:36

Administrata e presidentit Joe Biden, po e shqyrton mundësinë që të hedhë me avionë ushtarakë amerikanë ndihmë në Gazë, pasi dërgesat tokësore po bëhen gjithnjë e më të vështira. Kështu tha një zyrtar amerikan më 28 shkurt.

Ofensiva e ushtrisë izraelite kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë ka rrafshuar shumicën e enklavës të populluar dendur, duke vrarë afër 30.000 persona dhe duke detyruar pothuajse gjysmën e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh që të zhvendoset. Lufta ka shkaktuar krizë humanitare, teksa shumë përballen me urinë.

Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, volumi i ndihmës humanitare që ka hyrë në Gazë në shkurt është përgjysmë më pak sesa në janar.

Të paktën 576.000 persona në Rripin e Gazës – një e katërta e popullsisë – janë buzë urisë, tha Zyra për Koordinim të Çështjeve Humanitare e OKB-së. Kjo zyrë tha se grupet e ndihmës po përballen “me pengesa të mëdha vetëm për të dërguar minimumin e furnizimeve në Gazë”.

OKB shtoi se një në gjashtë fëmijë nën moshën dyvjeçare në veri të Gazës vuan nga kequshqyerja akute dhe praktikisht të gjithë banorët në enklavën palestineze varen nga ndihmat ushqimore për të mbijetuar “që mjerisht janë të pamjaftueshme”.

Zëvendësambasadori i SHBA-së në Izrael, Jonathan Miller, i cili ishte i pari që të martën përmendi mundësinë e dërgimit të ndihmave nga ajri, citoi disa zyrtarë amerikanë të cilët kanë thënë se ndihmat e dërguara në këtë mënyrë do të kenë efekt të kufizuar pasi avionët mund të hedhin ndihma në sasi që janë të barasvlershme me ndihmat që mund të transportohen nga një apo dy kamionë.

Përveç SHBA-së, edhe Kanadaja ka deklaruar se po punon për të dërguar ndihmë humanitare nga ajri. Ndihma humanitare në këtë mënyrë në Gazë veçse janë dërguar nga ushtria jordaneze në bashkëpunim me Francën.

Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi sulmoi Izraelin më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë. Ushtria izraelite u kundërpërgjigj me ofensivë të ashpër ajrore dhe tokësore. Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, vazhdimisht ka përsëritur se do të luftojë në Gazë deri në një “fitore absolute”, që siç ka thënë ai, nënkupton shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe udhëheqëse të Hamasit, grup që kontrollon Gazën.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Si Trump hartoi sulmet ndaj Iranit nga Turqia

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shfrytëzoi qëndrimin e tij në Turqi për samitin e NATO për të koordinuar përgjigjen amerikane ndaj sulmeve iraniane ndaj anijeve...
13:10 | 08/07/2026

Kallas: Sulmet e reja nga Irani dhe SHBA-të ndërlikojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me sulmet e reja nga Irani dhe SHBA-të në...
12:47 | 08/07/2026

Samiti i NATO-s, Erdogan: Jemi të gatshëm të ofrojmë ndihmë për arritjen e marrëveshjes SHBA-Iran

 Presidenti turk, Rexhep Tayyip Erdoğan theksoi mbështetjen e Turqisë për Ukrainën si dhe bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit. Gjatë fjalës...
12:34 | 08/07/2026