Shembja e rendit dhe ligjit në vend, dorëhiqet kryeministri i Haitit
Kryeministri i Haitit, Ariel Henry, është pajtuar që të japë dorëheqje, pas disa javëve të rritjes së presionit dhe shkallës së dhunës në këtë shtet të varfër.
Ai e ka marrë këtë vendim, pasi liderët rajonalë janë takuar të hënën në Xhamajka për të diskutuar një tranzicion politik në Haiti.
Henry është bllokuar aktualisht në Puerto Riko, pasi bandat e armatosura ia kanë pamundësuar kthimin në shtëpi.
Ai ka shkuar në Puerto Riko pas një udhëtimi në Kenia, në fund të shkurtit, për të siguruar mbështetjen e këtij vendi për një mision të sigurisë, të mbështetur prej Kombeve të Bashkuara.
Përmes një video-adresimi, Henry u ka bërë thirrje haitianëve që të qëndrojnë të qetë.
“Qeveria që jam duke udhëhequr do të dorëhiqet menjëherë pas instalimit të këshillit”, ka thënë Henry, shkruan REL.
“Dua të falënderoj popullin e Haitit për mundësinë që më ka dhënë. Po u kërkoj haitianëve që të jenë të qetë dhe të bëjnë gjithçka që munden, në mënyrë që paqja dhe stabiliteti të arrihen sa më shpejt që është e mundshme”.
Pas njoftimit të tij, haitianët kanë dalë nëpër rrugë për të festuar.
Një këshill transitor presidencial, i prezantuar pas takimit në Xhamajka, do të përfaqësojë sektorë të ndryshëm të shoqërisë haitiane.
Detyrat e tij janë përzgjedhja e një kryeministri dhe kabineti me mandat të përkohshëm, dhe krijimi i një këshilli zgjedhor për të lehtësuar procesin zgjedhor, që mund të jetë i pari prej vitit 2016.
Henry, i cili e ka udhëhequr shtetin vetëm si ushtrues detyre prej korrikut të vitit 2021, pas vrasjes së presidentit Jovenel Moise, i ka shtyrë vazhdimisht zgjedhjet, duke thënë se fillimisht duhet garantuar paqja.
Bandat tejet të armatosura e kanë rritur kontrollin nëpër rrugët e kryeqytetit Port-au-Prince, dhe e kanë sulmuar burgun kryesor, duke iu ndihmuar mijëra të burgosurve që të ikin prej atyre ambienteve.
Kryeqyteti dhe rajoni përreth është zyrtarisht në gjendje lufte, dhe masa e orës policore është vazhduar.
Shtëpia e Bardha ka dëshiruar fillimisht që Henry të kthehet në Haiti për të vëzhguar procesin transitor, mirëpo rritja e shkallës së dhunës i ka ndryshuar idetë në Uashington.
Zyrtarë brenda Departamentit amerikan të Shtetit kanë thënë se presin që anëtarët këshillit transitor të emërohen në 24-48 orët e ardhshme.
LEXONI GJITHASHTU:
Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
SHBA tërheq trupat nga Lituania
Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta