Gjashtë të vdekur, 10 të plagosur nga një sulm rus në Harkiv
Gjashtë civilë janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur të shtunën në mëngjes, si pasojë e një sulmi rus në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkiv, njoftuan zyrtarët rajonalë.
Policia ukrainase tha se sulmi u krye me dronë. Ajo publikoi pamje të zjarrit të shkaktuar nga sulmi në rrugë pranë një ndërtese banimi.
“Mëngjesin e sotëm u vranë gjashtë persona dhe u plagosën 10 të tjerë, si pasojë e një sulmi natën në rrethinën Shevçenskivski”, tha në Telegram kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov.
Ai tha se nga ky sulm u goditën zonat e banimit, duke shtuar se “së paku nëntë ndërtesa të larta, tre konvikte, një numër i ndërtesave administrative, një dyqan, një pompë e benzinës dhe vetura u dëmtuan”. Raportohet se sulmi ndodhi pas mesnatës.
Ushtria ukrainase tha se kundërajrorët e saj i shkatërruan 28 prej 32 dronëve dhe tre prej gjashtë raketave të shkrepura nga Rusia. Harkivi, në verilindje të Ukrainës, është sulmuar shpesh nga Rusia dhe sulmet u rritën në javët e fundit.
Të mërkurën u vranë katër persona si pasojë e një sulmi me dronë dhe u dëmtuan rëndë blloqe banesash.
Shefi i zyrës së presidentit Volodymyr Zelensky, Andriy Yermak, tha për Politico të enjten se mendon se Harkivi është shënjestra më e mundshme e një ofensive të mundshme ruse në maj apo qershor.
Governatori rajonal i Harkivit, Oleh Synehubov, raportoi për një sulm në një ndërtesë banimi dhe për një sulm raketor në një fshat në veri të Harkivit. Nuk u raportua për viktima në asnjërin prej këtyre incidenteve.
Në Harkiv dhe në shumicën e vendit, përfshirë në kryeqytet Kiev, u lëshuan sirena për disa orë, pas sulmeve të shtunën herët.
LEXONI GJITHASHTU:
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:43 Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 08:40 Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut
- 08:35 Vrasja e policit në Korçë, kush është autori dhe si hapi zjarr ndaj efektivëve pasi i pikasi
- 08:30 Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan
- 08:27 Protesta e studentëve kundër masave shtrënguese në Kili, 25 të plagosur nga përleshjet
- 08:22 Kim Jong Un bëri thirrje për zgjerimin eksponencial të arsenalit bërthamor të Koresë së Veriut