Takimi me Vuçiç, Macron: Do sigurohemi që marrëveshja për normalizim të përmbushet
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se Parisi do të sigurohet që çdo hap i Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, që është arritur mes Kosovës dhe Serbisë, do të përmbushet.
Gjatë konferencës për media, para takimit që zhvilloi në Paris me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, Macron tha se “çështja e Kosovës është një premtim dhe zotim për të ardhmen e rajonit” dhe se e gjithë kjo është përfshirë në marrëveshjen e arritur vitin e kaluar.
“Franca do të sigurohet që çdo hap i marrëveshjes do të përmbushet”, tha Macron, shkruan REL.
Udhëheqësi francez po ashtu tha se është e rëndësishme që të gjithë pjesëmarrësit në sulmin në Banjskë të arrestohen.
Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup serbësh të armatosur sulmuan policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron prapa sulmit, akuzë që është hedhur poshtë nga Beogradi.
Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
“Po ashtu dua që Prishtina të respektojë zotimet e saj, si dhe që zgjedhjet të respektohen me legjitimitet të plotë demokratik, veçanërisht në komunat me shumicë serbe”, tha Macron.
Ndërkaq, Vuçiç tha se qëndrimi se Prishtina dhe Beogradi “kanë bërë diçka” në dialogun për normalizimin e raporteve nuk është i vërtetë, pasi “njëra palë nuk ka bërë asgjë”, duke iu referuar Kosovës.
Gjatë konferencës për media me Macronin, Vuçiç foli për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Udhëheqësi serb pretendoi se Serbia ka përmbushur “tri gjëra” sa i përket Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit – të arritur vitin e kaluar – dhe parakusht i saj, sipas tij, ka qenë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, që Kosova nuk e ka përmbushur.
“[Kosova] po kryen shpronësim në veri, nuk ka hetim për plagosjen e serbëve në Kosovë”, tha Vuçiç.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit shkurtin e vitit të kaluar në Bruksel, ndërkaq në mars të vitit 2023, në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.
Zyrtarët në Beograd vazhdimisht kanë thënë se nuk do të zbatojnë të 11 pikat e marrëveshjes. Kosova po ashtu deri më tani nuk ka zbatuar obligimet e saj, veçmas ato që kanë të bëjnë me themelimin e Asociacionit.
Paraprakisht, Brukseli kishte akuzuar të dyja palët për moszbatimin e marrëveshjes.
Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.
Para takimit në Paris, Vuçiç kishte thënë se do të diskutonte 14 tema me Macronin, duke nisur nga industria, bujqësia, inteligjenca artificiale e deri tek energjia bërthamore.
Pallati Elize njoftoi më herët se dy zyrtarët po ashtu do të bisedonin për integrimin evropian të Serbisë, raportet mes Kosovës dhe Serbisë dhe Macron “do të riafirmojë zotimin e tij për mbështetjen e plotë të integrimit evropian të Serbisë” dhe se “normalizimi i raporte me Kosovën është pjesë integrale e procesit të pranimit” në Bashkimin Evropian.
Ky është takimi i njëzetë ndërmjet Vuçiçit dhe Macronit deri më sot.
LEXONI GJITHASHTU:
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta