SHBA kritikon ashpër mbylljen e degëve të bankës serbe në veri të Kosovës
Departamenti amerikan i Shtetit shprehu zhgënjimin për mbylljen nga policia e Kosovës të gjashtë njësive të “Bankës Postare Kursimore” të Serbisë në veri të vendit, duke thënë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha një zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, duke iu përgjigjur interesimit të Zërit të Amerikës.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.
“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”, përfundon zëdhënësi i Departamentit të Shtetit.
Banka Postare Kursimore është institucioni që ka shpërndarë pagesat e Beogradit për qytetarët serbë në Kosovë.
Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit, ilegale”.
Policia tha se janë konfiskuar “rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera”.
Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, shkroi në rrjetet sociale se “sundimi i rendit dhe ligjit, shërbimi ndaj të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim do të vazhdojë të jetë qëllimi ynë për të cilin jemi zotuar në vazhdimësi”.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë Petar Petkoviç e cilësoi veprimin një “akt tjetër të dhunshëm i shfuqizimit të institucioneve serbe në veri dhe dëbimit të popullit serb”.
Ai tha se “Albin Kurti dëshiron luftë dhe vuajtje për popullin serb, sepse çdo gjë që bën në muajt e fundit, e bën ekskluzivisht për hir të dëbimit të serbëve nga territori i Kosovës”.
Operacioni i së hënës ndodh gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.
LEXONI GJITHASHTU:
Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian
Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së
Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës
- 23:16 Mot i keq në Shkodër, autoritetet apel qytetarëve: Shmangni zonat me risk
- 23:07 “Opozitë e krimit”! Protestuesit nga selia e PS-së shkojnë para selisë së PD-së
- 22:35 Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM
- 22:33 SHBA tërheq trupat nga Lituania
- 22:28 Qytetarët bllokojnë rrugën pranë selisë së PS-së, thirrje të rinjve: Ngrihuni nga kafet
- 22:27 Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta