Urdhri i arrestit nga GJNP, Netanyahu: Turp! Është sulm ndaj Izraelit

21 Maj 2024 | 12:45

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dënoi të hënën vendimin e prokurorit të krimeve të luftës, që kërkon arrestimin e tij, duke e quajtur atë një “turp” dhe sulm ndaj ushtrisë izraelite dhe gjithë Izraelit.

Kryeprokurori i Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Karim Khan tha të hënën se ai ka kërkuar lëshimin e urdhër-arresteve për udhëheqësit izraelitë, duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu dhe tre udhëheqës të Hamasit: Yehia Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh.

Khan thotë se të gjithë janë përgjegjës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Rripin e Gazës dhe Izrael gjatë luftës shtatë-mujore mes Izraelit dhe Hamasit.

Përmes një deklarate, kryeministri Netanyahu tha se kërkesa për urdhër-arrest është “absurde” dhe “një përpjekje për t’i mohuar Izraelit të drejtën themelore për vetëmbrojtje”.

“Ju siguroj për një gjë: Kjo përpjekje do të dështojë plotësisht”, tha Netanyahu.

“Tetëdhjetë vjet më parë, populli hebre ishte plotësisht i pambrojtur përballë armiqve tanë. Ato ditë kanë mbaruar. Tani populli hebre ka një shtet dhe ne kemi një ushtri për të mbrojtur shtetin tonë”, shtoi ai.

Ai gjithashtu e akuzoi kryeprokurorin Khan për minim të Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe për antisemitizëm.

“Abuzimi i këtij autoriteti nga Khan do ta kthejë GJNP-në në një farsë. Ai po bën diçka tjetër. Ai po hedh benzinë mbi zjarret e antisemitizmit që po shpërthejnë në të gjithë botën.”

Netanyahu gjithashtu u zotua të vazhdojë luftën e Izraelit kundër militantëve të Hamasit.

“Për të gjithë armiqtë e Izraelit, duke përfshirë bashkëpunëtorët e tyre në Hagë, unë e përsërisë këtë zotim sot. Izraeli do të luftojë kundër Hamasit deri në fitore”, tha ai.

Militantët e Hamasit sulmuan Izraelin më 7 tetor duke vrarë 1200 njerëz dhe marrë peng më shumë se 250 të tjerë, sipas qeverisë së Izraelit. Kjo shkaktoi ndërhyrjen në shkallë të gjerë të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës. Izraeli është zotuar ta shkatërrojë Hamasin.

Në luftën mes Izraelit dhe Hamasit janë vrarë të paktën 35 mijë palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që drejtohet nga Hamasi. Rreth 80% e popullsisë prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur brenda territorit të Rripit të Gazës.

Izraeli thotë se përpiqet të shmangë viktimat në mesin e civilëve dhe ka fajësuar Hamasin për numrin e madh të viktimave dhe shkatërrimin, duke e akuzuar atë se i përdor palestinezët si mburoja njerëzore.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026