Marrëveshja| Kamionët me ndihma nisin të hyjnë në Gaza

26 Maj 2024 | 14:30

Kamionë me ndihma kanë hyrë në Gazë nga jugu i Izraelit të dielën, më 26 maj, përmes një marrëveshjeje të re.

Marrëveshja parasheh që të anashkalohet pikëkalimi në Rafah me Egjiptin, pasi forcat izraelite e morën nën kontroll pjesën palestineze të pikëkalimit më herët gjatë këtij muaji.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse grupet humanitare do të kenë qasje te ndihma, për shkak të luftimeve të vazhdueshme në atë zonë.

Egjipti refuzon të hapë anën e vetë të pikëkalimit në Rafah deri në kohën kur kontrolli i kufirit kah ana e Gazës t’i kthehet palestinezëve. Por, ky shtet është pajtuar që përkohësisht ndihma të dërgohet përmes pikëkalimit Kerem Shalom të Izraelit, ku gjendet terminali kryesore e mallrave të Gazës.

Marrëveshja është arritur pas një bisede telefonike që ka zhvilluar presidenti amerikan, Joe Biden, me homologun e tij egjiptian, Abdel Fattah al-Sissi.

Khaled Zayed, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe Egjiptiane, organizatë që merret me dërgimin e ndihmës nga Egjipti në Rafah, tha se 200 kamionë me ndihma dhe katër kamionë me karburante pritet që të dielën të hyjnë në Gazë.

Megjithatë, nuk ishte menjëherë e qartë nëse Kombet e Bashkuara arritën të merrnin ndihmën nga Gaza.

Dërgimi i ndihmës në Gazë është vështirësuar për shkak të ofensivës që Izraeli ka nisur në Rafah. Izraeli tha se do të lejojë qindra kamionë të hyjnë në Gazë, por agjencitë e Kombeve të Bashkuara thanë se ka rrezik të madh për kryerjen e këtyre operacioneve të ndihmës.

Lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e bashkuara dhe Bashkimi Evropian – nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit më 7 tetor, duke vrarë 1.200 persona dhe duke rrëmbyer 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 35.800 palestinezë.

Për shkak të luftimeve, më shumë se 1 milion palestinezë i strehuan në Rafah për shkak të luftimeve në pjesë të tjera të territorit të rrethuar. Ndërkaq, sipas OKB-së, pjesa veriore e Gazës po përballet me uri, teksa për dërgimin e ndihmës atje janë dy rrugë tokësore që Izraeli hapi së fundi, shkruan REL.

Ndihma në Gazë dërgohet edhe përmes një porti që SHBA-ja ka ndërtuar, por sasia e ndihmës që dërgohet përmes portit është më e vogël seç prisnin autoritetet. Grupet e ndihmës kanë thënë se Gazës i duhen 600 kamionë në ditë me ndihma, në mënyrë që të adresohen nevojat humanitare.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026