Presidenti Joe Biden: Po i kaloj stafetën brezit të ri për të bashkuar vendin

25 Korrik 2024 | 08:00

Presidenti Joe Biden tha se po ia kalon stafetën një brezi të ri, ndërsa u shpjegoi amerikanëve largimin e tij të papritur nga gara presidenciale gjatë një fjalimi mbrëmjen e së mërkurës nga Shtëpia e Bardhë pas një karriere politike mbi 50-vjeçare.

“Unë e nderoj këtë zyrë”, tha Presidenti Biden. “Por unë e dua më shumë vendin tim”.

81-vjeçari Biden, hodhi poshtë trysninë disa javore të demokratëve për t’u tërhequr nga gara për Shtëpinë e Bardhë pas debatit katastrofik të 27 qershorit. Gjatë një interviste pas debatit ai tha se vetëm “Zoti i Plotfuqishëm” mund ta bindë të tërhiqet nga gara.

“Kam vendosur se mënyra më e mirë përpara është t’ia kaloj stafetën një brezi të ri. Kjo është mënyra më e mirë për të bashkuar vendin tonë”, tha Presidenti Biden në fjalimin drejtuar vendit.

Presidenti Biden e mori vendimin disa ditë pasi shqyrtoi parashikimet e sondazheve se ai mund të humbiste përballë republikanit Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit dhe të dëmtonte edhe shanset e fitores së zgjedhjeve të ligjvënësve demokratë.

“Gjëja e madhe e Amerikës është se këtu nuk sundojnë mbretërit dhe diktatorët. Populli sundon. Historia është në duart tuaja. Fuqia është në duart tuaja. Ideja e Amerikës është në duart tuaja”, tha Presidenti Biden ndërsa iu drejtua popullit amerikan.

Këto janë komentet e para të zgjeruara publike të Presidentit Biden që nga e diela kur ai njoftoi përmes medias sociale se kishte vendosur të tërhiqej nga gara presidenciale për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Demokrati Biden është presidenti i parë në detyrë që nuk kërkon një mandat të dytë që nga viti 1968 kur Presidenti Lyndon Johnson, nën kritika të ashpra për trajtimin e Luftës në Vietnam, u tërhoq papritur nga fushata më 31 mars.

Zoti Biden i bashkohet listës së presidentëve James K. Polk, James Buchanan, Rutherford B. Hayes, Calvin Coolidge dhe Harry Truman që vendosën të mos kandidojnë për një mandat të dytë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026