Dëshmia e shefit të FBI: Atentatori i Trump përdori dron, çfarë kërkoi në internet

25 Korrik 2024 | 10:48

Autori i atentatit ndaj ish Presidentit Donald Trump besohet të ketë kërkuar në internet një javë para sulmit të dhëna mbi vrasjen e presidentit amerikan John Kennedy, tha gjatë dëshmisë së tij të mërkurën drejtori i FBI-së, Christopher Wray.

Por drejtori Wray shtoi se ndonëse atentatori kishte treguar interesim të shtuar rreth figurave publike, ai nuk ka lënë prapa gjurmë të qarta rreth motiveve ideologjike.

Sipas zotit Wray, autori i sulmit Thomas Matthew Crooks kërkoi në internet përgjigje për pyetjen se “sa ishte distanca ndërmjet Oswaldit dhe Kennedy-t?”, duke iu referuar Lee Harvey Oswald-it, i cili vrau me snajper Presidentin Kennedy në vitin 1963, në Dallas.

Drejtori Wray i zbuloi këto detaje para ligjvënësve të Komisionit Juridik të Dhomës së Përfaqësuesve si pjesë e informacioneve të reja të ofruara nga ai rreth sulmit të 13 korrikut në tubimin zgjedhor të zotit Trump në Batllër të Pensilvanisë.

Hetimet e FBI-së e kanë vënë agjencinë në mes të stuhisë politike pak muaj para zgjedhjeve presidenciale, me ligjvënësit dhe publikun që kërkojnë me ngulm detaje për motivet që nxitën autorin e sulmit, përpjekja më serioze për të vrarë një president apo kandidat presidencial që nga atentati ndaj Presidentit Ronald Reagan në vitin 1981.

FBI-ja ka ndërtuar një orar të detajuar të lëvizjeve dhe aktiviteteve në internet të autorit të sulmit, por motivi i saktë – ose arsyeja se përse zoti Trump ishte objektivi i tij – mbesin të panjohura, deklaroi zoti Wray.

“Shumë nga burimet e zakonshme të informacionit ende nuk kanë dhënë ndonjë rezultat që ia vlen të përmendet sa i përket motivit apo ideologjisë,” tha ai. Zoti Wray theksoi se autori i sulmit kishte treguar interesim të shtuar ndaj figurave publike. Krahas zotit Trump, Crooks kishte në telefonin e tij fotografi të Presidentit Joe Biden dhe figurave tjera kryesore – dhe se në ditët para sulmit ai dukej i interesuar në veçanti për zotin Trump.

Sipas zotit Wray, dy orë para sulmit, Crooks përdori një dron rreth 180 metra nga skena e tubimit ku zoti Trump qëndroi më vonë. Crooks i kishte transmetuar drejtpërdrejt inçizimet nga vendi i ngjarjes dhe i kishte riparë regjistrimet më vonë. Përdorimi i dronit në afërsi të tubimit vetëm disa orë para se zoti Trump të qëndronte në skenë, nxiti pyetje shtesë rreth mangësive të masave sigurisë para ngjarjes.

Wray u tha ligjvënësve amerikanë të mërkurën se institucioni i tij “do të bëjë të gjitha përpjekjet” për të zbuluar se çfarë e shkaktoi dështimin e autoriteteve për të parandaluar atentatin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

“Prej kohësh kam thënë se jetojmë në një ambient me kërcënime të shtuara. Dhe atentati ishte një shembull tragjik dhe veçanërisht i neveritshëm i një ambjenti të tillë”, tha drejtori Wray në dëshminë e tij. “Do të bëjmë çmos. Vrasësi ka vdekur, por hetimet e FBI-së po vazhdojnë.”

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026

Partia Demokratike në pushtet fiton zgjedhjet lokale në Korenë e Jugut

Partia Demokratike në pushtet në Korenë e Jugut ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e pjesshme parlamentare, duke forcuar më...
08:40 | 04/06/2026

Kina ndalon hyrjen e katër deputetëve të Zelandës së Re pas vizitës në Tajvan

Kina u ka ndaluar hyrjen katër ligjvënësve të Zelandës së Re pas pjesëmarrjes së tyre në një vizitë zyrtare në Tajvan, sipas mediave të Zelandës....
08:30 | 04/06/2026