Media shtetërore siriane: Sulmet izraelite në Siri vranë 14 persona

9 Shtator 2024 | 12:39

Numri i personave të vrarë gjatë natës në Siri, si pasojë e sulmeve izraelite, ka shkuar në 14, ndërsa i të plagosurve në mbi 40, ka raportuar media shtetërore siriane në mëngjesin e së hënës.

Në sulmet izraelite është goditur qendra e Sirisë, është dëmtuar një autostradë në provincën Hama dhe janë përhapur zjarre, ka raportuar agjencia shtetërore e lajmeve SANA.

Fillimisht, autoritetet spitalore patën raportuar për katër viktima.

SANA, duke cituar udhëheqësin e spitalit Faysal Haydar, ka thënë se 14 persona janë vrarë dhe 43 janë plagosur.

Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut, organizatë me bazë në Britani të Madhe, ka thënë se të paktën katër prej të vdekurve janë civilë.

Në njërin sulm është shënjestruar qendra për kërkime shkencore në Majsaf dhe disa qendra tjera “ku janë të stacionuara milicitë iraniane dhe ekspertët që zhvillojnë armë në Siri”, ka thënë Vëzhguesi Sirian për të Drejta të Njeriut.

Mediat lokale kanë raportuar, gjithashtu, për sulme rreth qytetit bregdetar, Tartous.

Ushtria izraelite nuk e ka komentuar ende akuzën për sulm.

Izraeli ka kryer qindra sulme në zonat e kontrolluara prej Qeverisë në Siri, mirëpo rrallë flet për këto operacione.

Në sulme zakonisht shënjestrohen forcat siriane apo grupet e mbështetura prej Iranit.

Izraeli është zotuar për të parandaluar shtrirjen e Iranit në Siri, sidomos për faktin se Siria përbën rrugë kyçe për Iranin për transportim të armëve te grupit militant i Libanit, Hezbollahu.

Hezbollahu është përleshur me forcat izraelite në 11 muajt e fundit, duke i konsideruar veprimet e veta si shenjë solidarizimi me Hamasin që po lufton kundër Izraelit në Gazë, shkruan REL.

Lufta në Gazë është nxitur prej sulmeve të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit në tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng mbi 240 të tjerë.

Sulmet hakmarrëse të Izraelit në Gazë kanë lënë mbi 40.000 palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se shumica e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026