SHBA do t’i dërgojë Izraelit një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore

14 Tetor 2024 | 07:20

Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një sistem të avancuar të mbrojtjes ajrore (THAAD) dhe trupa në Izrael, njoftoi të dielën Pentagoni. Njoftimi vjen ndërsa Irani paralajmëroi Uashingtonin që t’i mbajë forcat ushtarake amerikane jashtë Izraelit.

Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral major Pat Ryder, tha nëpërmjet një deklarate se Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin kishte autorizuar dërgimin e sistemit THAAD, bazuar në direktivën e Presidentit Joe Biden.

Zoti Ryder tha se sistemi do të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes ajrore të Izraelit pas dy sulmeve me raketa të Iranit, në muajin prill dhe tetor.

“Ky vendim nënvizon angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Izraelit dhe për të mbrojtur amerikanët që ndodhen atje, nga çdo sulm i mëtejshëm me raketa balistike nga Irani”, tha zoti Ryder.

Dërgimi i një sistemi të sofistikuar të mbrojtjes raketore në Izrael, rrezikon të ndezë më tej konfliktin në Lindjen e Mesme, pavarësisht përpjekjeve të përhapura diplomatike për të shmangur një luftë të gjerë rajonale.

Nëpërmjet një postimi në platformën sociale X, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi, vinte në dukje njoftimet se SHBA-të po shqyrtonin mundësinë e dislokimit të një sistemi të tillë.

Forcat izraelite dhe luftëtarët e Hezbollahut në Liban janë përleshur që nga 8 tetori i vitit 2023, kur grupi militant libanez nisi të gjuante me raketa përtej kufirit në mbështetje të aleatit të tij, Hamasit që operon në Gazë. Në fund të muajit të kaluar, Izraeli nisi një operacion tokësor në Liban.

Besohet gjerësisht se Izraeli po përgatet për një përgjigje ushtarake ndaj sulmit të Iranit të 1 tetorit, që përfshiu rreth 180 raketa balistike.

Në një koment të shkurtër të dielën për gazetarët përpara se të largohej nga Florida Presidenti Biden tha se vendosi të dislokonte sitemin THAAD “për të mbrojtur Izraelin”. Zoti Biden foli në bazën e Forcave Ajrore ‘MacDill’ në Tampa pasi bëri një vizitë të shpejtë për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nga uragani Milton.

Nuk dihet ende se kur do të mbërrijë sistemi THAAD në Izrael. Nënkoloneli Nadav Shoshani, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, nuk pranoi të jepte ndonjë afat kohor, por falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen.

SHBA vendosi një nga sistemet THAAD në Lindjen e Mesme së bashku me sisteme shtesë Patriot për të forcuar mbrojtjen për forcat amerikane në rajon në fund të vitit të kaluar, pas sulmit të 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit nga militantët e Hamasit.

Zëdhësi i Pentagonit tha gjithashtu se SHBA-të kishin dërguar një sistem THAAD në Izrael në vitin 2019, për stërvitje.

Gjithashtu nuk është e pazakontë që Shtetet e Bashkuara të ketë një numër të kufizuar trupash në Izrael, një vend që Uashingtoni e konsideron një aleat kyç. Në përgjithësi Uahsingtoni ka pasur vazhdimisht një numër të vogël forcash në këtë vend, si dhe ka kryer dislokime rutinore me rotacion për trajnime e stërvitje.

Sipas një raporti të Kongresit të muajit prill, ushtria amerikane ka shtatë sisteme të avancuara THAAD.

Secili përbëhet nga gjashtë lëshues të montuar në kamion, 48 interceptorë, pajisje për radio dhe radarë dhe për vënien në funksion të tij nevojiten 95 ushtarë.

THAAD konsiderohet një sistem që plotëson sistemin Patriot, por që mund të sigurojë mbrojtjen e një zonë më të gjerë. Ai mund të godasë objektiva që ndodhen në një distancë prej 150 deri në 200 kilometrash.

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima

Ushtria amerikane sulmoi një anije të akuzuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor të mërkurën, duke vrarë dy burra, ndërsa administrata Trump zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të...
14:12 | 04/06/2026

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026