Pas sulmit terrorist në Ankara, Turqia sulmon kurdët në Siri dhe Irak

24 Tetor 2024 | 13:07

Turqia ka goditur caqet e dyshuara të militantëve kurdë në Siri dhe Irak për të dytën ditë me radhë, pas sulmit të 23 tetorit në një kompani turke të mbrojtjes, që la të vrarë të paktën pesë persona, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Organizata Kombëtare e Inteligjencës ka shënjestruar disa “vendndodhje strategjike” që përdoren nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit (PPK) apo nga milicitë kurde siriane, që janë të lidhur me militantët, raportoi agjencia Anadolu. Caqet përfshijnë caqe ushtarake, të inteligjencës, energjisë, infrastrukturës dhe depo të municioneve. Ndërkaq, një zyrtar i sigurisë tha se gjatë sulmeve të enjten janë përdorur dronë.

Të mërkurën, forcat ajrore turke kryen sulme ajrore ndaj caqeve të ngjashme në veri të Sirisë dhe në veri të Irakut, disa orë pasi zyrtarët qeveritarë fajësuan PPK-në për sulmin vdekjeprurës në selinë e kompanisë së mbrojtjes, TUSAS.

Sulmuesit – një burrë dhe një grua – shkuan në ndërtesën e TUSAS-it, në periferi të Ankarasë, me një taksi që ata e morën pasi e vranë shoferin, tha Anadolu. Të armatosur me pushkë sulmuese, ata aktivizuan eksplozivë dhe hapën zjarr, duke vrarë katër persona në TUSAS, përfshirë një pjesëtar të sigurisë dhe një inxhinier mekanik.

Autoritetet thanë se edhe mbi 20 persona mbetën të plagosur, teksa shtuan se kanë vrarë dy sulmuesit e dyshuar.

PPK-ja ende nuk ka reaguar për sulmin në Ankara, apo për sulmet ajrore të Turqisë.

TUSAS dizajnon, prodhon dhe monton avionë civilë dhe ushtarakë, dronë dhe pajisje të tjera për industrinë e mbrojtjes dhe për sistemet ajrore.

Sulmi në Ankara ndodhi një ditë pasi partia nacionaliste e ekstremit të djathtë në Turqi – që është partnere e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan – përmendi mundësinë e faljes së liderit të burgosur të PPK-së, nëse ai do të hiqte dorë nga dhuna dhe do të shpërbënte organizatën e tij.

Grupi i Abdullah Ocalanit që nga vitet ’80 lufton për autonomi në juglindje të Turqisë, në konfliktin që ka vrarë dhjetëra mijëra persona. PPK-ja konsiderohet grup terrorist nga Turqia dhe aleatët e saj perëndimorë.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026