Arkeologët zbulojnë eshtra njerëzore të fosilizuara mbi 1 milion vjeçare

12 Mars 2025 | 07:46

Pjesa e një fytyre të fosilizuar nga një paraardhës i njeriut është më e vjetra e gjetur në Evropën Perëndimore, sipas arkeologëve.

Kafka jo e plotë, një pjesë e kockës së faqes së majtë dhe nofullës së sipërme, u gjet në pjesën veriore të Spanjës në vitin 2022. Fosili besohet të jetë mes 1.1 milion dhe 1.4 milion vjet i vjetër, sipas hulumtimit të botuar në revistën “Nature”.

“Gjetja e fosilit është emocionuese”, tha Eric Delson, paleontolog në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, i cili nuk ishte i përfshirë në studimin në fjalë. “Është hera e parë që kemi gjetur fosile të rëndësishme më të vjetra se 1 milion vjet në Evropën Perëndimore”.

Një koleksion i fosileve më të vjetra nga paraardhësit e hershëm të njeriut është gjendur më parë në Gjeorgji, pranë udhëkryqit të Evropës Lindore dhe Azisë. Fosilet vlerësohen të jenë 1.8 milionë vjet të vjetra.

Kafka e pjesshme e gjetur në Spanjë është prova e parë që tregon qartë se paraardhësit njerëzorë “po lëviznin drejt Evropës” në atë kohë, tha Rick Potts, drejtor i Programit të Origjinës Njerëzore pranë Muzeut Smithsonian.

Por ende nuk ka prova që mbërritjet më të hershme kanë vazhduar atje për një kohë të gjatë, tha ai. “Ata mund të kenë arritur në një vend të ri dhe më pas të kenë vdekur”, tha zoti Potts, i cili nuk kishte asnjë rol në studim.

Kafka e pjesshme ka shumë ngjashmëri me specien njerëzore Homo erectus, por ka edhe disa dallime anatomike, tha bashkëautorja e studimit Rosa Huguet, arkeologe në Institutin Katalan të Paleoekologjisë Njerëzore dhe Evolucionit Social në Tarragona të Spanjës.

Specia Homo erectus besohet të ketë jetuar rreth 2 milion vjet më parë dhe u zhvendos nga Afrika në rajonet e Azisë dhe Evropës, me individët e fundit që vdiqën rreth 100,000 vjet më parë, tha zoti Potts.

Mund të jetë shumë e vështirë që të identifikosh se cilit grup njerëzish të hershëm i përket një gjetje fosile nëse ka vetëm një fragment të vetëm kundrejt shumë kockave që tregojnë një sërë karakteristikash, tha paleoantropologu i Universitetit të Zyrihut, Christoph Zollikofer, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

I njëjti kompleks shpellash në malet Atapuerca të Spanjës, ku u gjet fosili i ri, më parë ka ofruar të dhëna të tjera domethënëse mbi të kaluarën e lashtë njerëzore. Studiuesit që punojnë në rajon kanë gjetur gjithashtu fosile më të fundit nga Neandertalët dhe Homo sapiens të hershëm.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit

Mbi 100 gra në Spanjë janë diagnostikuar me një formë të rrallë kanceri që është lidhur me implantet e gjirit. Autoritetet shëndetësore kanë konfirmuar 111...
19:28 | 04/06/2026

Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit

Deklaratat pro-Ukrainës të Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio, tregojnë se ajo që Rusia e quajti “lufta e Bidenit” tani është shndërruar në “luftën...
19:10 | 04/06/2026

Të fshehur brenda kamionit cisternë, gjenden 30 emigrantë në Turqi! Një i arrestuar

Tridhjetë emigrantë u zbuluan nga policia turke në rezervuarin bosh të një kamioni cisternë në juglindje të vendit, pranë kufirit me Iranin. Një video e postuar në X nga policia...
18:24 | 04/06/2026