Dobruna: U largova nga konferenca në Tiranë sepse Kosovës iu vu fusnota

14 Prill 2025 | 20:47

Zëvendëministri i Financave, Punës dhe Transfereve i Kosovës, Agon Dobruna, ka thënë se ai ishte larguar në mënyrë proteste nga një konferencë në Tiranë të Shqipërisë, pasi emri i Kosovës ishte shoqëruar me fusnotë.

“Pavarësisht kërkesës sonë të qartë dhe të drejtpërdrejtë për të korrigjuar këtë paraqitje, ajo u injorua, duke shkelur frymën e bashkëpunimit, respektit dhe barazisë që promovon vetë konferenca”, shkroi Dobruna në Facebook.

Konferenca për të cilën flet Dobruna ishte zhvilluar më 9 prill në Tiranë dhe ishte konferencë rajonale për kujdesin e fëmijëve, shkruan REL.

Në konferencën e titulluar “Përshpejtimi i Reformave të Kujdesit për Fëmijët drejt Anëtarësimit në Bashkimin Europian” kishin marrë pjesë edhe përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, të pritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Më 24 shkurt të vitit 2012, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për përfaqësimin rajonal, që më vonë u bë e njohur si “marrëveshja e fusnotës”.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, fusnota do t’i shtohej emrit të Kosovës sa herë që vendi do të përmendej, për ta mundësuar përfaqësimin në konferenca e iniciativa të ndryshme rajonale e ndërkombëtare.

“Ky përcaktim është pa paragjykime ndaj statusit dhe në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe me opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, thuhet në marrëveshje.

Dobruna tha se prania e fusnotës e detyroi atë të largohet dhe e la pa nënshkruar deklaratën e angazhimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor për bashkëpunim rajonal në fushën e të drejtave të fëmijëve.

“Përdorimi i fusnotës në këtë kontekst nuk është një çështje procedurale – është një çështje e dinjitetit kombëtar, e respektit dhe e trajtimit të barabartë, veçanërisht kur organizatori është një vend mik i Republikës sonë”, shkroi Dobruna në Facebook.

Në vitet pas nënshkrimit të marrëveshjes, emrit të Kosovës i bashkëngjitej gjithnjë edhe simboli i fusnotës në dokumente të OKB-së, BE-së e institucioneve të tjera ndërkombëtare.

Në vitet e fundit, megjithatë, në disa dokumente – si në rezoluta të Parlamentit Evropian, apo në dokumentet e Marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi – fusnota nuk e ndiqte emrin e Kosovës.

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Vjosa Osmani në Gjilan: Besojmë në punë, rezultate dhe aleancën me ShBA-në

Kandidatja për president nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani ndodhet në Gjilan nga ku ka falënderuar qytetarët për mbështetjen, duke e cilësuar atë si një...
13:54 | 04/06/2026

Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec

Kolektivi për Mendim dhe Veprim feminist ka mbledhur këtë të enjte dis aktivistë tek Ambasada e Shqipërisë në Prishtinë, për t’u solidarizuar me protestat në...
13:36 | 04/06/2026

Kosta me Vuçiç: Dialogu Kosovë-Serbi dhe marrëveshja e Ohrit, jetike për sigurinë e rajonit

Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, i kërkoi Serbisë të përshpejtojë reformat dhe të avancojë dialogun me Kosovën, duke theksuar se zgjerimi i Bashkimit Europian...
13:09 | 04/06/2026