Marrëveshje bërthamore, Irani dhe SHBA do të zhvillojnë bisedime në Romë

19 Prill 2025 | 09:54

Irani dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë një raund të ri bisedimesh bërthamore këtë të shtunë në Romë, në përpjekje për të zhbllokuar ngecjen disavjeçare mbi qëllimet atomike të Teheranit.

Bisedimet zhvillohen në një klimë tensioni, të shoqëruar nga paralajmërimi i Presidentit Donald Trump për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake nëse diplomacia dështon.

Në raundin e dytë të dialogut, palët do të negociojnë në mënyrë indirekte, me ndërmjetësim nga zyrtarë omanezë. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi dhe i dërguari i Presidentit Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të jenë figurat kyçe të këtij takimi, që shihet si një përpjekje për të frenuar përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës.

Araqchi, i cili mbërriti në Romë të premten, deklaroi më herët në Moskë se “arrija e një marrëveshjeje është e mundur, për sa kohë që Uashingtoni mbetet realist.” Megjithatë, Irani ka kërkuar të zbusë pritshmëritë për një marrëveshje të menjëhershme, duke i cilësuar si spekulime zërat për një lehtësim të shpejtë të sanksioneve.

Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, deklaroi këtë javë se nuk është “as tepër optimist dhe as pesimist” për rezultatet e këtyre bisedimeve, duke reflektuar një qëndrim të kujdesshëm përballë zhvillimeve diplomatike.

Nga ana tjetër, Presidenti Trump e bëri të qartë qëndrimin e tij gjatë një deklarate për gazetarët:

“Unë jam për të ndaluar Iranin, shumë thjesht, të ketë një armë bërthamore. Ata nuk mund të kenë një armë bërthamore. Unë dua që Irani të jetë i madh, i begatë dhe i frikshëm.”

Trump, i cili në mandatin e tij të parë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksione të ashpra ndaj Iranit, ka rifilluar fushatën e “presionit maksimal” që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

Shtetet e Bashkuara kërkojnë ndalimin e pasurimit të uraniumit nga ana e Iranit, duke e cilësuar atë si një hap drejt prodhimit të një arme bërthamore. Nga ana tjetër, Teherani insiston se programi i tij është tërësisht paqësor, por shpreh gatishmëri për të pranuar disa kufizime në këmbim të heqjes së sanksioneve dhe kërkon garanci që marrëveshjet e ardhshme të mos anulohen në mënyrë të njëanshme nga SHBA, siç ndodhi në vitin 2018.

Bisedimet në Romë pritet të jenë vendimtare për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe për stabilitetin në Lindjen e Mesme.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026