Më shumë se 10,000 faqe dokumente që lidhen me vrasjen e senatorit amerikan dhe kandidatit për president, Robert F. Kennedy, janë publikuar nga Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Regjistrimeve.
Dokumentet përfshijnë mes të tjerash edhe shënime të shkruara me dorë nga vrasësi Sirhan Sirhan, në të cilat ai shpreh qartë qëllimin për ta vrarë Kennedyn dhe e përshkruan atë si një figurë që “duhej asgjësuar”.
Zbulimi i këtyre materialeve është pjesë e një procesi më të gjerë deklasifikimi të sekreteve kombëtare, i iniciuar nga Presidenti Donald Trump pas fillimit të mandatit të tij të dytë në janar. Vetëm një muaj më parë, publiku u njoh edhe me dokumentet e papërpunuara në lidhje me vrasjen e John F. Kennedy, vëllait të Robertit, më 1963.
Në dokumente përfshihen detaje të reja rreth planifikimit të atentatit, duke përfshirë deklaratat e Sirhan Sirhan, i cili sipas dosjeve, kishte planifikuar vrasjen menjëherë pas ekzekutimit të Martin Luther King Jr., më 4 prill 1968. Një person që e njihte Sirhanin, një burrë me ngjyrë që kishte ndërmend të votonte për Kennedyn, u shpreh se ai e kishte kërcënuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për qëndrimin e tij politik.
RFK u qëllua për vdekje më 5 qershor 1968, vetëm pak çaste pasi kishte mbajtur një fjalim për fitoren në zgjedhjet presidenciale paraprake të Kalifornisë, në hotelin Ambassador në Los Anxhelos. Sirhan u dënua për vrasje të shkallës së parë dhe aktualisht vuan burgim të përjetshëm.
Sipas dokumenteve të publikuara, FBI kishte intervistuar një grup turistësh që raportuan paralajmërime dhe thashetheme për një atentat kundër Kennedy-t disa javë përpara se të ndodhte. Disa prej tyre pretendonin se kishin dëgjuar në Izrael, Milwaukee dhe Nebraska, për tentativa ose lajme të rreme rreth vrasjes së tij, përpara datës reale të ngjarjes.
Nga 229 skedarët e publikuar, shumë ishin zbuluar më herët, por nuk ishin dixhitalizuar apo shpërndarë publikisht. Disa kanë qëndruar për dekada në ruajtje në arkivat federale, ndërsa tani janë bërë të aksesueshme për publikun për herë të parë.
Awesome https://is.gd/tpjNyL