Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe dënojnë bllokadën në Gaza

23 Prill 2025 | 15:26

Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë dënuar me forcë bllokadën e vazhdueshme të ndihmës humanitare nga Izraeli në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar për pasoja katastrofike humanitare dhe duke kërkuar një rifillim të menjëhershëm të shpërndarjes së ndihmave pa pengesa, si dhe ripërtëritje të përpjekjeve për një armëpushim të qëndrueshëm.

Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e Jashtëm të tre vendeve thanë se “Izraeli ka bllokuar plotësisht hyrjen e ndihmave humanitare në Gaza për më shumë se 50 ditë”, një situatë që e kanë cilësuar si “të patolerueshme” dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

“Civilët palestinezë, përfshirë një milion fëmijë, përballen me rrezik akut nga uria, sëmundjet dhe vdekja. Furnizimet thelbësore ose nuk janë më të disponueshme, ose mbarojnë menjëherë”, thuhet në deklaratë.

Tri vendet kujtojnë se gjatë periudhës së armëpushimit dy mujor në janar, ndihmat ishin të mundshme nëpërmjet OKB-së dhe organizatave ndërkombëtare. Situata aktuale, sipas tyre, bie ndesh me standardet humanitare dhe minon mundësinë për paqe.

Gjithashtu, ata e quajnë “të papranueshme” politizimin e ndihmës humanitare nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, dhe planet për një prani të zgjatur izraelite në Gaza pas luftës.

“Ndihma nuk duhet përdorur si mjet presioni politik dhe as nuk mund të justifikohet asnjë ndryshim demografik apo gjeografik i territorit palestinez,” thuhet në deklaratë, duke kërkuar që Izraeli të garantojë qasje të plotë për OKB-në dhe organizatat humanitare.

Deklarata ndalet edhe te shqetësimi për sigurinë e punonjësve të ndihmës dhe sulmet ndaj infrastrukturës mjekësore.

“Shprehim zemërimin tonë për sulmet e fundit ndaj personelit humanitar dhe shëndetësor. Izraeli duhet të bëjë shumë më tepër për të mbrojtur civilët dhe strukturat kritike,” theksojnë ministrat.

Në përfundim, ata kërkojnë rivendosjen e mekanizmave të koordinimit humanitar dhe lehtësimin e evakuimeve mjekësore nga Gaza, si pjesë e një përgjigjeje të menjëhershme ndaj krizës humanitare.

Që prej 2 marsit, Izraeli ka mbyllur të gjitha kalimet kufitare të Gazës, duke bllokuar hyrjen e ndihmave. Sipas të dhënave të fundit, që nga tetori 2023, më shumë se 51,000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite në territorin e rrethuar.

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Droni shkel hapësirën ajrore të Rumanisë, ngrihen avionët luftarakë

Një avion luftarak rumun F-16 rrëzoi një mjet ajror pa pilot, dron, që shkeli hapësirën ajrore të vendit herët këtë mëngjes, tha Presidenti rumun Nicusor...
14:36 | 24/07/2026

Zelensky do të udhëtojë drejt SHBA-së, zbulon se do të takohet me presidentin Trump në Uashington

Presidenti Volodymyr Zelensky do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme dhe do të takohet me Donald Trump , siç zbuloi ai...
11:59 | 24/07/2026

Një muaj pas tërmeteve vdekjeprurëse, venezuelianët ende kërkojnë të dashurit e tyre nën rrënoja

Më shumë se 5,300 njerëz janë konfirmuar të kenë vdekur nga tërmetet dhe më shumë se 16,500 të tjerë janë plagosur, sipas një numri të...
10:17 | 24/07/2026