Izraeli e pranon që po mbështet një grup në Gazë që është kundër Hamasit
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka pranuar se Izraeli është duke mbështetur një grup të armatosur në Gazë, që kundërshton grupin militant Hamas – të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Mediat izraelite dhe palestineze kanë raportuar se grupi me të cilin është duke punuar Izraeli është pjesë e një fisi beduin vendas të udhëhequr prej Yasser Abu Shababit.
Instituti i quajtur Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, e përshkruan Abu Shababin si lider të “një bande kriminale që operon në zonën Rafah, e cila akuzohet gjerësisht për plaçkitje të kamionëve me ndihma”.
Pjesëtari i Parlamentit izraelit, njëherësh ish-ministër i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman, ka thënë për transmetuesin publik Kan që Qeveria, me urdhër të Netanyahut, është “duke i dhënë armë një grupi të kriminelëve dhe të dënuarve”.
“Çfarë ka bërë publike Liebermani? Që bazuar në këshillat e zyrtarëve të sigurisë, ne kemi aktivizuar klane në Gazë që kundërshtojnë Hamasin. Çfarë ka të keqe këtu?”, ka pyetur Netanyahu në një video të publikuar në rrjete sociale.
“Ka vetëm të mira, janë duke u ruajtur jetët e ushtarëve izraelitë”.
Michael Milshtein, ekspert për çështje palestineze në Qendrën Moshe Dayan në Tel Aviv, ka thënë për agjencinë e lajmeve AFP se klani i Abu Shababit është i zgjeruar përtej kufijve mes Gazës dhe Gadishullit Sinai të Egjiptit.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjenerali Effie Defrin, ka thënë të premten se ushtria mbështet milici lokale të armatosura në Gazë, mirëpo nuk ka dhënë më shumë hollësi.
“Mund të them se jemi duke operuar në mënyra të ndryshme kundër qeverisjes së Hamasit”, ka thënë Defrin në një konferencë për media kur është pyetje për këtë temë.
Izraeli është në luftë me Hamasin për gati 20 muaj – konflikt i nxitur nga grupi terrorist, pas kryerjes së sulmit në tokën izraelite, më 7 tetor të vitit 2023.
Aktualisht në Gazë gjendja raportohet e rënduar, si pasojë e bllokimit të ndihmave nga autoritetet izraelite.
LEXONI GJITHASHTU:
Rubio: SHBA do të përqendrojë përpjekjet e saj kundër terrorizmit të ekstremit të majtë
Keqpërdorimet e fondeve publike, qeveria e Hungarisë i dërgon policisë raportet dhe kontratat e dyshimta
29 vende nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar një organ global bashkëpunimi për inteligjencën artificiale
- 17:38 Rubio: SHBA do të përqendrojë përpjekjet e saj kundër terrorizmit të ekstremit të majtë
- 17:28 Keqpërdorimet e fondeve publike, qeveria e Hungarisë i dërgon policisë raportet dhe kontratat e dyshimta
- 17:09 Plagosja në Shkodër, arrestohet autori 18-vjeçar. Pranga edhe babait të tij për bashkëpunim në krim
- 17:05 29 vende nënshkruajnë marrëveshjen për të krijuar një organ global bashkëpunimi për inteligjencën artificiale
- 16:56 Deklarata e ministres serbe, reagon eurodeputeti çek. Kërkon përjashtimin e Serbisë nga negociatat me BE-në
- 16:29 Irani u kërkon rebelëve Huthi të mbyllin rrugën e naftës në Detin e Kuq nëse SHBA godet rrjetin iranian të energjisë