Kreu i NATO-s bën thirrje për forcim 400 për qind të mbrojtjes ajrore
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, bëri thirrje më 9 qershor për një rritje prej 400 për qind të mbrojtjes kundërajrore dhe raketore, për ta mbrojtur aleancën veriatlantike nga kërcënimet e Rusisë.
“Në Ukrainë po shohim se si Rusia përdor terrorin nga ajri, prandaj do ta forcojmë mburojën që mbron qiellin tonë”, tha Rutte gjatë një fjalimi në institutin Chatham House në Londër, sipas deklaratës së publikuar nga AFP.
“NATO-s i duhet një rritje prej 400 për qind e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe raketore për ta ruajtur një parandalim dhe mbrojtje të besueshme”, shtoi ai.
“Fakt është që kemi nevojë për një rritje të madhe në mbrojtjen tonë kolektive”, theksoi ai.
Rutte do të takohet me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, të hënën, për herë të dytë në Downing Street që nga ardhja në pushtet e liderit laburist në korrik 2024.
Komentet e Rutte vijnë para samitit të NATO-s që do të mbahet këtë muaj në Holandë.
Por, Moska i ka dënuar menjëherë deklaratat e tij, duke e cilësuar NATO-n si një “instrument agresioni”.
“NATO po shfaqet si një instrument agresioni dhe përballjeje”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve në Moskë.
Presidenti amerikan, Donald Trump, po ushtron presion ndaj vendeve anëtare të NATO-s ta rrisin ndjeshëm buxhetet e tyre ushtarake. Ai po kërkon që shpenzimet për mbrojtje të arrijnë në pesë për qind të bruto produktit të brendshëm (BPB), nga caku i tanishëm prej dy për qind.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi javën e kaluar në Bruksel se aleatët janë afër arritjes së një marrëveshjeje për cakun e ri prej pesë për qind, i cili pritet të formalizohet në samitin e Hagës.
“Besojmë se brenda pak javësh kjo aleancë do të zotohen për pesë për qind, nga të cilat 3.5 për qind do të shkojnë për armatim të rëndë dhe 1.5 për qind për infrastrukturë dhe aktivitete mbrojtëse”, tha Hegseth të enjten. “Ky është zotim real dhe besojmë se çdo vend mund ta rrisë kontributin e vet”.
Vendet anëtare të NATO-s janë duke punuar për t’i rritur kapacitetet e tyre mbrojtëse që prej fillimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës në shkurt 2022.
LEXONI GJITHASHTU:
Shkon në 55 numri i viktimave në Francë nga temperaturat e larta, dhjetëra qytete në alarm
Treni përplas makinën në Britani, humb jetën shoferja. Pasagjerja 8-vjeçare në gjendje kritike
Mbreti Charles dhe Mbretëresha Camilla nuk do të jetojnë në Pallatin Buckingham pas rinovimeve
- 11:11 Bisedimet për marrëveshjen, udhëheqësi i Hezbollahut: Tërheqja pa kushte nga Libani është zgjedhja e vetme e Izraelit
- 11:11 Katia Itzel Garcia, gruaja e parë meksikane që arbitroi një ndeshje të Kupës së Botës
- 11:00 Sulmi ndaj anijes pranë brigjeve të Omanit, OKB pezullon operacionin e shoqërimit në Hormuz
- 10:56 U kap në flagrancë me sasi droge, në pranga 35-vjeçari në Tiranë. Pamjet nga operacioni i arrestimit (VIDEO)
- 10:51 Rusia dhe Ukraina intensifikojnë sulmet. 28 dronë rrëzohen pranë Moskës, Kievi shënjestrohet nga raketat balistike
- 10:42 Ish-zonja e parë e Koresë së Jugut dënohet me 7 vite burg