Britania gati të shpallë sanksione të reja ndaj Rusisë
Mbretëria e Bashkuar pritet të zbulojë të martën një paketë të re sanksionesh ndaj Rusisë, në përpjekje për të goditur financiarisht makinerinë ushtarake të Vladimir Putinit. Masat, të koordinuara me aleatët perëndimorë të Ukrainës, do të synojnë të rrisin presionin mbi Kremlinin në vazhdën e sulmeve të fundit ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, gjatë samitit të G7 në Alberta të Kanadasë, deklaroi se qëllimi i sanksioneve është të “tregojnë Putinit se është në interesin e tij dhe të Rusisë të marrë seriozisht paqen”.
“Fakti është se Rusia nuk i ka të gjitha kartat në dorë,” tha ai, duke theksuar përkushtimin e Britanisë dhe partnerëve të saj për të “shtrydhur të ardhurat e energjisë së Rusisë dhe për të zvogëluar burimet që ajo përdor për të financuar luftën e saj të paligjshme”.
Sipas Downing Street, sanksionet do të synojnë posaçërisht kompleksin industrial ushtarak rus, por detaje të hollësishme ende nuk janë publikuar. Një zëdhënës i kryeministrit u shpreh se G7 sapo ka nisur diskutimet dhe se “do të ishte e parakohshme të spekulohej mbi përmbajtjen e sanksioneve”.
Ndërkohë, zyrtarët ukrainas njoftuan se një valë tjetër e sulmeve ajrore ruse në Kiev ka shkaktuar vdekjen e të paktën 14 personave, çka ka shtuar urgjencën për masa të reja ndëshkuese ndaj Moskës.
Por qëndrimi i Shteteve të Bashkuara ndaj paketës së re mbetet i paqartë. Presidenti Donald Trump sinjalizoi kundërshtimin e tij ndaj sanksioneve të mëtejshme, duke u shprehur se “ato i kushtojnë SHBA-së miliarda dollarë” dhe “nuk janë një rrugë me një drejtim”. Ai shtoi se dëshiron të shohë nëse është e mundur arritja e një marrëveshjeje paqësore midis Rusisë dhe Ukrainës përpara se të mbështesë ndëshkime të reja ekonomike.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin kanadez Mark Carney, Trump e quajti përjashtimin e Rusisë nga grupi G7 “një gabim” dhe tha se kjo “e bën jetën më të komplikuar”, duke rihapur një debat të vjetër mbi rikthimin e Moskës në tryezën e vendeve më të industrializuara.
Sanksionet e reja pritet të shpallen zyrtarisht të martën, në përfundim të sesioneve të para të samitit.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)