Greva e kontrollorëve të trafikut ajror paralizon Francën, anulohen fluturimet

4 Korrik 2025 | 10:10

Rreth 40 për qind e fluturimeve u anuluan të premten në të gjitha aeroportet e Parisit dhe dhjetëra mijëra pasagjerë u detyruan të riorganizojnë planet në kulmin e sezonit veror të udhëtimeve, për shkak të një greve të kontrollorëve francezë të trafikut ajror që po kërkojnë kushte më të mira pune.

Ndërprerjet nisën të prekin aeroportet në të gjithë Francën që të enjten dhe u intensifikuan të premten. Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil u kërkoi kompanive ajrore të anulonin 40 për qind të fluturimeve të së premtes në aeroportet Charles de Gaulle, Orly dhe Beauvais që shërbejnë Parisin, gjysmën e fluturimeve në Nice dhe 30 për qind të fluturimeve në Marseille, Lyon dhe disa qytete të tjera.

Pavarësisht anulimeve parandaluese, autoriteti paralajmëroi në një deklaratë se “priten ndërprerje dhe vonesa të gjata në të gjitha aeroportet franceze”.

Ryanair ishte mes kompanive ajrore që njoftuan ndërprerje të gjera, duke thënë në një deklaratë se kishte anuluar mbi 400 fluturime, duke prekur 70,000 pasagjerë. Kompania tha se greva ndikon në të gjitha fluturimet e saj mbi hapësirën ajrore franceze, si dhe në trafikun që hyn dhe del nga aeroportet franceze, dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian të reformojë rregullat e trafikut ajror.

Një nga dy sindikatat që po udhëheqin grevën, UNSA-ICNA, tha në një deklaratë se nuk ka mjaftueshëm punonjës për të përballuar rritjen e trafikut ajror dhe se inflacioni po gërryen pagat. Sindikatat po ashtu po kundërshtojnë masat e reja të reformës që synojnë mbikëqyrje më të rreptë të punës së tyre, të nxitura nga një pothuajse përplasje që ndodhi në aeroportin e Bordeaux-it.

Ministri i Transportit, Philippe Tabarot, e quajti të “papranueshme” kërkesat e sindikatës, dhe vendimin e tyre për të hyrë në grevë pikërisht kur mbyllen shkollat në Francë dhe shumë familje nisen për pushime.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026