Haxhiu: Pranimi i provave serbe nga “Specialja”, fyerje për viktimat e luftës

31 Korrik 2025 | 12:46

Ministrja në detyrë e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë nga e ashtuquajtura “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Haxhiu është shprehur se përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet serbe është i gabuar dhe i papranueshëm, ndërsa është shprehur se pranimi i materialeve nga këto struktura si burime të besueshme është deformim i rëndë i drejtësisë dhe fyerje ndaj viktimave të luftës.

“Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme,” tha ajo.

Postimi i plotë i Albulena Haxhiut

“Me shqetësim kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën “Komandë për Kosovën dhe Metohinë”.

Ky zhvillim është thellësisht i papranueshëm. Institucionet në fjalë janë struktura të një regjimi që ka qenë përgjegjës për dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës.

Pranimi i materialeve të prodhuara nga ky regjim si burime të besueshme përbën një deformim të rëndë të drejtësisë dhe një fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri.

Tentimi i Gjykatës, me një fjali sikur “Për më tepër, fakti që disa Prova të Propozuara vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre.” (par. 17), përveç tjerash është edhe juridikisht i gabuar dhe i padrejtë.

Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktika të etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare, sipas të cilave një ndër kriteret më të rëndësishme për vlerësimin e pranueshmërisë së provave është nëse burimi i tyre ka një interes në rezultatin e procesit apo ka indikatorë të tjerë të anshmërisë.

Refuzimi i Gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngre dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë gjyqtarëve të rastit.

Përdorimi i dokumenteve të prodhuara nga institucionet e regjimit serb është i gabuar dhe i papranueshëm. Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar nga një aparat shtetëror kriminal, jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin.

Slobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij janë gjykuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës për krime lufte.

Pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i tyre nga një gjykatë që vepron në emër të Republikës së Kosovës e zhvesh këtë gjykatë nga legjitimiteti kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të logjikës së vjetër të mohimit të së vërtetës, barazimit të palëve dhe relativizimit të krimeve. Kjo është jo vetëm e padrejtë, por politikisht e papranueshme”, shkruan ajo.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026

Haxhiu gjatë takimit me Costan: Rruga drejt BE-së, interes strategjik i Kosovës

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, tha se rruga e vendit drejt Bashkimit Evropian është interes strategjik shtetëror. Këto deklarata ajo i...
13:38 | 03/06/2026