I dërguari amerikan në Moskë para skadimit të afatit të SHBA për armëpushim
I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff, ka arritur në Moskë më 6 gusht, ku pritet të takohet me zyrtarë të lartë rusë.
Vizita e emisarit amerikan zhvillohet vetëm dy ditë para se të skadojë afati që Shtëpia e Bardhë i ka vendosur Rusisë për të bërë përparim drejt një armëpushimi me Ukrainën.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar vendosjen e tarifave ndaj eksporteve ruse dhe sanksioneve dytësore ndaj vendeve që vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia – masa që synojnë të rrisin presionin mbi Moskën për t’i dhënë fund luftës së nisur në shkurt të vitit 2022.
Masat dytësore, sipas zyrtarëve amerikanë, do të shënjestronin kryesisht Kinën dhe Indinë – blerëset më të mëdha të naftës ruse.
Pas nisjes së udhëtimit të Witkoffit për në Moskë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se Ukraina i ka propozuar Rusisë “qetësi në qiell” – pa sulme me raketa apo dronë, dhe pa goditje ndaj infrastrukturës civile apo energjetike.
Trump, i cili kohëve të fundit ka shprehur gjithnjë e më shumë pakënaqësi ndaj Putinit, paralajmëroi javën e kaluar se “do të ketë sanksione, por ata duket se janë mjaft të mirë në shmangien e tyre”.
Trump tha gjithashtu se do të rrisë “në mënyrë të konsiderueshme” tarifat ndaj Indisë, për shkak të vazhdimit të blerjeve të naftës ruse nga ky shtet.
I pyetur më 3 gusht se cili është mesazhi që Witkoff do t’ia përcjellë Moskës dhe nëse Rusia mund të shmangë sanksionet, Trump u përgjigj shkurt: “Po, të bëjnë një marrëveshje që ndalon vrasjet”.
Kremlini ka dhënë pak detaje për vizitën. Zëdhënësi Dmitry Peskov deklaroi më 4 gusht se “ne gjithmonë e mirëpresim zotin Witkoff në Moskë… Ky është një kontakt i rëndësishëm dhe i dobishëm”.
Në një deklaratë tjetër për agjencinë ruse TASS, Peskov tha se përmirësimi i marrëdhënieve SHBA–Rusi do të kërkojë kohë, për shkak të “inercisë” dhe mungesës së takimeve të drejtpërdrejta ndërmjet presidentëve Putin dhe Trump.
Presidenti Trump ka bërë të ditur më 14 korrik se i ka dhënë Rusisë 50 ditë kohë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, në të kundërtën do të vendosen tarifa të ashpra ndaj eksporteve ruse. Më pas, ai e zhvendosi afatin për më herët – më 8 gusht.
LEXONI GJITHASHTU:
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 11:22 Efektivi tek Trauma, niset dhe autori me ambulancë, si paraqitet gjendja e dy të plagosurve
- 11:15 Vrasja e efektivit në Maliq, Hita: Ditë e trishtë për Policinë e Shtetit, nuk do doja të isha para jush
- 11:10 Berisha, Ramës: Anulo mitingun e Vlorës
- 10:55 Mbërrin me helikopter te Trauma efektivi i plagosur gjatë operacionit në Maliq
- 10:53 Zbulohet një kompleks termal romak në Lushnje
- 10:45 Autori ish-ushtarak bënte qitje në pyll, pamje nga vendi ku u vra polici në Maliq (VIDEO)