Ambasadori i Palestinës flet për njohjen nga evropianët: Problemi nuk është Hamasi

23 Shtator 2025 | 14:14

Ambasadori i Palestinës në Tiranë, Sami Mhanna, ishte i ftuar në studion e Euronews Albania, ku foli për njohjen e shtetit të Palestinës nga disa vende evropiane, zhvillimet në Rripin e Gazës dhe marrëdhëniet me Shqipërinë.

Gjatë intervistës ekskluzive me gazetarin Thimi Samarxhi, ai tha se njohja e shtetit të Palestinës nga disa vende evropiane përbën një fitore të rëndësishme diplomatike.

“Ishte një sukses për diplomacinë palestineze, sidomos për faktin që vende si Franca – aleate të Izraelit – e kanë njohur Palestinën dhe rëndësinë e zbatimit të formulës me dy shtete, sipas kufijve të vitit 1967,” tha ambasadori.

Sipas tij, kjo njohje është një e drejtë e plotë dhe historike që duhej të ishte marrë shumë vite më parë.

“Ne kemi përjetuar zhvendosje, luftëra dhe vrasje brutale. Zgjidhja me dy shtete është një e drejtë legjitime,” theksoi ai.

Synimi: Anëtarësim i plotë në OKB

Ambasadori bëri të ditur se autoritetet palestineze po punojnë për të kërkuar një anëtarësim të plotë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se ky është hapi i radhës pas njohjeve ndërkombëtare ndërsa theksoi se, pavarësisht suksesit diplomatik, “Izraeli vazhdon sulmet e tij.”

“Hapi i dytë është të çojmë kërkesën tonë në Këshillin e Sigurimit. Jemi nën pushtim, kemi humbur shumë jetë në Gaza, sidomos në 24 muajt e fundit, ku janë vrarë mbi 60 mijë palestinezë. Infrastruktura është shkatërruar dhe njerëzit po përballen me krizë urie dhe vdekje. Kjo po ndodh në shekullin e 21-të,” deklaroi ai.

Përgjegjësia e Hamasit dhe qëndrimi i Autoritetit Palestinez

I pyetur nga gazetari Thimi Samarxhi në lidhje me përgjegjësinë e Hamasit dhe mungesën e kontrollit të tij nga shteti palestinez, ambasadori u shpreh:

“Kur shteti palestinez të stabilizohet, Hamasi nuk do të jetë më në Gaza. Presidenti Mahmud Abbas e ka thënë qartë se Hamasi nuk mund ta qeverisë Gazën,” tha ai.

Ambasadori e konsideroi sulmin e 7 tetorit si një “katastrofë për popullin palestinez”, duke thënë se i dha Izraelit justifikimin për ndërhyrje të ashpra.

“Hamasi është përgjegjës për vdekjen e civilëve. Sulmi i tyre rezultoi një katastrofë për qytetarët palestinezë. Nëse Hamasi do të ishte i vetëdijshëm për pasojat, nuk do ta bënte atë sulm. Nuk bie dakord me atë që ndodhi më 7 tetor, por ai ishte një reagim ndaj presionit izraelit në Bregun Perëndimor dhe në Gaza. Nëse Hamasi kthehet në një lëvizje me ideologji politike, mund të qëndrojë. Por kjo është e vështirë. Autoriteti Palestinez ka pushtetin për të bërë ndryshime në Gaza në favor të popullit tonë. Presidenti ka thënë se Hamasi nuk do të lejohet të drejtojë Gazën, por mund të marrë pjesë në proceset politike. Fajësoj Izraelin që ka nisur një luftë ndaj popullit tonë. Problemi nuk është Hamasi, por pushtuesi,” shtoi ai”, tha ambasadori.

Apel për më shumë mbështetje nga Shqipëria

Ambasadori foli edhe për qëndrimin e Shqipërisë në forumet ndërkombëtare, ku shpesh është pozicionuar si abstenues ndaj çështjes palestineze.

“Kam folur me presidentin Bajram Begaj, i cili na mbështet. Do të doja që edhe qeveria shqiptare të na mbështeste më shumë. Nuk e kuptoj pse Shqipëria abstenon. Pse na e ka kthyer shpinën ne?” tha ai.

“Lufta nuk është mes Izraelit dhe Hamasit, por mes Izraelit dhe popullit tonë. Do të donim që shqiptarët të flisnin më shumë për çështjen palestineze dhe të na mbështesnin më shumë. Nuk besoj se Kryeministri Rama është pro gjenocidit, dhe kjo është diçka e mençur prej tij,” përfundoi ambasadori Mhanna.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026