Sulmet ndaj gazetarëve në veri, dy deputetët e Listës Serbe deklarohen të pafajshëm
Deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, dhe Urosh Vuksanoviq, janë deklaruar të pafajshëm për akuzën që lidhet me sulmet ndaj gazetarëve në Leposaviq në qershor të vitit 2023.
Në Gjykatën Themelore në Mitrovicë u mbajt seanca fillestare për Simiqin dhe Vuksanoviqin, pasi e njëjta ishte shtyrë më 18 shtator.
“E nderuara gjyqtare, absolutisht nuk jam fajtor”, tha Simiq në gjykatore.
Edhe Vuksanoviq tha se “nuk e pranoj fajësinë sepse jam i pafajshëm”.
Seanca e fillestare më 18 shtator u shty pasi avokatët e të akuzuarve thanë se nuk kanë pranuar shkresat e plota nga prokurori i rastit.
Më 13 qershor të këtij viti, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ngriti aktakuzë ndaj deputetit të Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Simiq akuzohet për veprën “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”.
Sipas Prokurorisë, Simiq më 16 qershor të vitit 2023 gjatë protestave kundër vizitës të ministrit, tashmë në detyrë të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi “me dashje ka marrë pjesë në turmën e mbledhur prej më tepër se tetë persona, ashtu që në momentin që nga objekti i Komunës së Leposaviqit del ministri E.K., personat civil të maskuar fillojnë të gjuajnë shok bomba në drejtim të veturës zyrtare, dhe pasi që kalon vetura zyrtare, i pandehuri u jep urdhër turmës duke thënë që të i sulmojnë mediat”.
Në njoftimin për ngritjen e aktakuzës, Prokuroria tha se sulmi vazhdoi në drejtim të gazetarëve, fillimisht me shok bomba, e më pas turma u godit me grushte, shqelma, mjete të forta, tulla betoni, e gjësende të tjera. Gjatë këtij sulmi pësuan lëndime të rënda trupore dy gazetarë, tha Prokuroria.
Ndërkaq, të pandehurin Urosh Vuksanoviq, Prokuroria e akuzon për përfshirje “të drejtpërdrejtë në përdorimin e forcës ndaj gazetarëve të Kosovës”.
Ai akuzohet për veprat penale “sulmi” dhe “pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Pasi u ngrit aktakuza, Lista Serbe deklaroi se Simiq kishte tentuar “të mbrojë të gjithë të pranishmit, përfshirë ekipet mediale”.
Sulmi i 16 qershorit të vitit 2023 ishte dënuar nga politikanë vendorë dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atë vit, në Leposaviq dhe në tri komunat e tjera në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, gazetarët ishin cak i disa sulmeve teksa ata po mbulonin protestat e serbëve lokalë kundër zgjedhjes së kryetarëve shqiptarë të komunave./REL
Zgjedhja e kryetarëve shqiptarë erdhi pasi kryetarët serbë ishin tërhequr dhe më pas partitë serbe bojkotuan zgjedhjet që u mbajtën në prill.
Protestat më 2023 kulmuan me përplasjen mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan më 29 maj. Gjatë kësaj përplasjeje u lënduan dhjetëra ushtarë të KFOR-it dhe protestues. NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që përgjegjësit për dhunën të përballen me drejtësinë./REL
KQZ në Kosovë: Rezultatet përfundimtare më 26 qershor, certifikimi i tyre më 6 korrik
Hamza: Pres formim të shpejtë të institucioneve, votuesit thanë, “na lodhët, boll”!
Kallas për zgjedhjet në Kosovë: Liderët të angazhohen për formimin e shpejtë të qeverisë
- 20:49 Tërmet 6.1 ballë godet brigjet e Kubës
- 20:45 Sofia Moreira de Sousa propozohet për ambasadore e BE-së në Shqipëri
- 20:40 Trump: E paralajmërova Netanyahun se Izraeli do të mbetej vetëm nëse përshkallëzohej me Iranin
- 20:29 Peshkaqeni i bardhë i madh shihet për herë të parë në Detin Mesdhe
- 20:21 Operacion policor në Vlorë, ndalohen 5 persona të dyshuar për armëmbajtje pa leje
- 20:09 Rama i përgjigjet Iranit për protestat në Shqipëri: Nuk do na frikësoni dhe nuk do kërkojmë falje