Zelensky: Dronët dhe raketat ruse po terrorizojnë ende Ukrainën

17 Tetor 2025 | 09:07

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se dronët rusë sulmuan qytetin e tij të lindjes në Ukrainë në prag të takimit të tij me presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Zelensky tha se sulmi në Krivij Ri, në juglindje të Ukrainës, në orët e vona të 16 tetorit, ishte një shembull se si Rusia “ende po e terrorizon Ukrainën”, dhe shtoi se kishte “dhjetëra dronë të tjerë sulmues në qiellin tonë” dhe po ashtu ishin parë edhe raketa.

“Në fakt, në javët e fundit nuk ka kaluar asnjë natë pa sulme ruse në Ukrainë” dhe shumica kishin për shënjestër infrastrukturën, shkroi Zelensky në X pasi arriti në Uashington për takimin me Trumpin.

Zelensky tha se Rusia do të detyrohet ta ndalë luftën vetëm kur të mos jetë në gjendje ta vazhdojë atë dhe mënyra se si Rusia mund të shfaqë gatishmërinë e vërtetë për paqe nuk qëndron te fjalët, por te ndalja e sulmeve dhe vrasjeve.

“Prandaj, çdo sistem i mbrojtjes ajrore për Ukrainë ka rëndësi. Çdo vendim që mund të forcojë ne, e sjellë më afër përfundimin e luftës. Siguria mund të garantohet nëse gjithçka për të cilën ne jemi pajtuar, përfshirë këtu në Uashington, zbatohet”, tha ai.

Bisedimet mes Trumpit dhe Zelenskyt pritet të përfshijnë diskutime për mbrojtjet ajrore të Ukrainës dhe kapacitetet për sulme me rreze të gjatë veprimi, përfshirë mundësinë që SHBA-ja t’i japë Ukrainës raketa Tomahawk.

Trump njoftoi më 16 tetor se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, zhvilluan një bisedë telefonike dhe u pajtuan që të takohen në Budapest.

Trump shkroi në rrjetet sociale se do të ketë një takim të nivelit të lartë të këshilltarëve javën e ardhshme, para se ai dhe Putini të takohen “për të parë nëse mund ta përfundojmë këtë luftë të ‘palavdishme’ mes Rusisë dhe Ukrainës”.

Delegacioni amerikan do të udhëhiqet nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, tha ai. Lokacioni i takimit të këshilltarëve ende nuk është përcaktuar.

Presidenti Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se ai pret që të takohet me Putinin “brenda dy javësh”, duke shtuar se mikpritës i takimit do të jetë kryeministri hungarez, Viktor Orban, i cili ka mbajtur raporte të mira me Rusinë, teksa ka vënë në dyshim dërgimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën.

“Takimi i planifikuar mes presidentit amerikan dhe atij rus është një lajm i shkëlqyer për njerëzit paqedashës në botë”, shkroi Orban në X. “Ne jemi gati”.

Si Kremlini, ashtu edhe Shtëpia e Bardhë e vlerësuan bisedën telefonike Trump-Putin, duke e quajtur “të mirë” dhe “produktive”.

Këshilltari për politikë të jashtme i Kremlinit, Yuri Ushakov, tha se biseda ishte “jashtëzakonisht e hapur”, duke shtuar se detajet do të diskutohen gjatë një bisede telefonike mes sekretarit Rubio dhe ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, që do të zhvillohet në ditët në vijim.

Ushakov deklaroi se Putin i tha Trumpit që furnizimi i Ukrainës me raketa Tomahawk nuk do të ndryshonte situatën në fushëbetejë, por të do të dëmtonte përpjekjet për paqe dhe raportet mes Rusisë dhe SHBA-së.

Zelensky tha përmes një postimi në Telegram pasi arriti në Uashington se duket që Rusia dëshiron të rinisë dialogun, pas mundësisë që SHBA-ja të dërgojë raketa Tomahawk.

“Veçse e kemi parë që Moska po ngarendë që të rinisë dialogun sa më shpejt që të jetë e mundur pasi ka dëgjuar për raketat Tomahawk”, shkroi ai.

 

LEXONI GJITHASHTU:

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026