Gazetari Sokol Brahaj, ka folur në “Balkan Talks” nga Turqia lidhur me sulmet e ashpra të Rusisë ndaj Ukrainës të cilat sa vijnë dhe intensifikohen. Më i fundit është ai sulm me 430 dronë dhe 18 raketa që solli vrasjen e 6 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Ukrainë.
Në analizën e tij, Brahaj ndalet te pozicionimi kompleks i Turqisë mes dy palëve luftuese, duke theksuar rolin e saj tradicionalisht të paanshëm, por njëkohësisht mbështetës të Ukrainës që nga ditët e para të konfliktit.
Ai sqaron se, pavarësisht lëvizjeve diplomatike që mund të interpretohen ndryshe, qëndrimi i Turqisë mbetet i orientuar drejt paqes.
“Turqia i ka komshinj të dyja. Në fushën e luftës Turqia tradicionalisht ka qenë e paanshme. Në një luftë që bëhet vazhdimisht, shumica anon nga humbja. Turqia është një ndër shtetet kryesore që e ka ndihmuar Ukrainën që ditët e para.
Në kontekstin kohor të sotshëm, jepet një shenjë që është në të kundërt të Ukrainës, por unë nuk e shoh kështu. Nuk është se jemi pranë tavolinës për të vendosur dicka dhe Turqia po kalon nga ana e Rusisë, por duhet ditur që Turqia mund të jetë edhe kundër Rusisë, por në marrdhëniet ndërkombëtare ka edhe shantazhe.
Presidenti Erdogan shprehet qartë se jemi pranë të dy vendeve për një plan paqeje, por realiteti në fushë, është se Turqia ka qenë më shumë në krahun e Ukrainës”, tha gazetari Brahaj.