Çfarë humbet Zelensky me largimin e Yermak një ditë para negociatave

29 Nëntor 2025 | 17:11

Vendimi i Volodymyr Zelensky për të shkarkuar bashkëpunëtorin e tij të ngushtë prej kohësh hap rrugën për ndryshime rrënjësore brenda Ukrainës, pasi personi që vendosi disiplinën në mjedisin politik konkurrues të vendit, të cilin Rusia gjithmonë kërkon ta shfrytëzojë, nuk është më aty.

Largimi i Andriy Yermak të premten, mes një hetimi për korrupsion, e lë të lirë pozicionin e kryenegociatorit të Ukrainës në bisedimet e paqes për t’i dhënë fund luftës. Por, ndërsa delegacioni ukrainas planifikon të vazhdojë negociatat këtë fundjavë në Shtetet e Bashkuara, tani pa Yermak, zyrtarët ukrainas këmbëngulin se përmbajtja e bisedimeve nuk do të ndryshojë.

Yermak, një ish-producent filmash dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Zelensky, ishte një politikan i ashpër, deri në atë pikë sa kundërshtarët politikë dhe gazetarët e akuzuan atë për abuzim me pushtetin . Në fakt, ka shumë që e mirëpritën largimin e tij.

Në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës, Yermak kishte marrë një rol qendror. Ai kishte lënë mënjanë një ish-ministër të jashtëm i cili kishte mbajtur marrëdhënie të mira me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane. Në fakt, në raundin e fundit të bisedimeve me administratën Trump, Volodymyr Zelensky e kishte vendosur Yermak në krye të ekipit ukrainas, pavarësisht hijeve nga hetimi për korrupsion.

Vlen të përmendet se si brenda ashtu edhe jashtë vendit, këmbëngulja e A. Yermak për të qëndruar pothuajse gjithmonë në krah të presidentit ukrainas ishte mbresëlënëse. Gjithashtu, sipas diplomatëve, pati fërkime midis tij dhe zyrtarëve nga administratat Trump dhe Biden.

Të nesërmen

Megjithatë, ndryshimi i kryenegociatorit nuk do të ndikojë në çështjet themelore të sigurisë për Ukrainën dhe Evropën që janë në tryezë.

‘Negociatat janë një përpjekje ekipore’, tha Oleksandr Merezhko , kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme në parlamentin ukrainas. ‘Mekanizmi nuk ndryshon me largimin e një personi’.

Zelensky theksoi se bisedimet po vazhdonin normalisht. Në një postim të shtunën, ai tha se delegacioni ukrainas, i udhëhequr nga Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare, “është tashmë në rrugë për në Shtetet e Bashkuara” për një raund të ri bisedimesh.

“Ukraina vazhdon të punojë me Shtetet e Bashkuara në mënyrën më konstruktive”, shkroi Zelensky, duke shtuar se pret që rezultatet e negociatave të mëparshme në Gjenevë “të finalizohen në SHBA” gjatë takimit të së dielës.

Bisedimet me 28 pika

Gjatë javës së kaluar, Yermak ka negociuar për të rishikuar propozimin e Trump, i cili përbëhej nga 28 pika që pasqyronin kryesisht kërkesat ruse. Çështjet më të mprehta përfshinin tërheqjen nga Ukraina lindore, braktisjen e perspektivës së anëtarësimit në NATO dhe përjashtimin e çdo force paqeruajtëse perëndimore pas luftës.

Propozimi përfshinte gjithashtu një premtim për garanci sigurie për të parandaluar një pushtim të ri rus, i cili do të zbatohej pjesërisht nga SHBA-të, por pa sqaruar nivelin e angazhimit amerikan. Kjo pikë u pa me dyshim nga ukrainasit.

Bastisja në shtëpinë e Yermakut

Duke njoftuar largimin e tij, Zelensky tha se ish-bashkëpunëtori i tij i kishte shërbyer me besnikëri interesave të Ukrainës në bisedime, por po tërhiqej për të shmangur “shpërqendrimin ” .

Të premten në mëngjes, autoritetet bastisën shtëpinë e A. Yermak, pasi ishin ngritur akuza kundër individëve të afërt me presidentin ukrainas dhe vetë Yermak për përvetësim të afërsisht 100 milionë dollarëve nga kontratat me kompaninë shtetërore të energjisë bërthamore Energoatom.

Largimi i tij zbut shqetësimet e Kievit se Rusia ose SHBA-të do ta përdorin skandalin e korrupsionit si levë për të detyruar palën ukrainase të bëjë lëshime të dhimbshme. Partia opozitare e Solidaritetit Europian, në një deklaratë, kishte bërë thirrje tashmë për largimin e Yermak nga ekipi negociator për këtë arsye.

Aktivistët kundër korrupsionit thonë se Yermak dhe një negociator tjetër, Umerov, i cili është gjithashtu i përfshirë në këtë rast, kishin një konflikt interesi mbi kushtet e planit të paqes, duke përfshirë një amnisti të propozuar për krimet e luftës. Një dispozitë e tillë mund të “mbulojë” gjithashtu hetimet ndaj tyre.

Largimi i Yermak ka tronditur politikën e Ukrainës së shkatërruar nga lufta. Duke rrëzuar rivalët në kabinet dhe në zyrën presidenciale, ai kishte grumbulluar një pushtet të madh prapa skenave. Ai shërbeu njëkohësisht si zëvendëspresident, kryeministër dhe shef i stafit , thonë analistët.

Edhe pse organizatat kundër korrupsionit e mirëpritën shkarkimin e tij, Zelensky tani përballet me pyetjen se si, pa Yermakun, do të jetë në gjendje të ruajë kontrollin e partisë dhe ministrive të tij brenda një sistemi politik polifonik.

Pa Yermak për të mbikëqyrur politikën e brendshme, për të zbutur tensionet në ushtri dhe për të mbikëqyrur negociatat, kontrolli politik i zotit Zelensky mund të dobësohet, thonë analistët. Ai ka thënë se do të konsultohet me politikanë dhe gjeneralë përpara se të emërojë një zëvendësues.

Yermak la të kuptohej të premten se mund të ketë zhvillime të tjera pas largimit të tij të papritur. Në një bisedë me New York Post, ai tha se planifikon të bashkohet me ushtrinë dhe të luftojë rusët. “Unë do të shkoj në front”, shkroi Yermak, sipas Post. “Unë jam një njeri i ndershëm dhe i mirë”.

 

 

 

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West

Reperi amerikan Kanye West do të lejohet të mbajë dy koncerte në Holandë, pasi një gjykatë në Amsterdam vendosi se performancat e planifikuara mund të...
09:24 | 04/06/2026

SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh

SpaceX, kompania e teknologjisë hapësinore dhe komunikimeve satelitore e drejtuar nga Elon Musk, po planifikon të mbledhë rreth 75 miliardë dollarë përmes një oferte publike...
09:11 | 04/06/2026

Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara ka miratuar rezolutën për kompetencat e luftës që synon të frenojë fushatën ushtarake të presidentit amerikan, Donald Trump,...
08:43 | 04/06/2026