Washington Post: Negociatori ukrainas u takua “fshehurazi” me drejtues të FBI-së
Takimet sekrete midis kryenegociatorit të paqes së Ukrainës dhe zyrtarëve të FBI-së kanë hedhur hije të reja pasigurie mbi luftën, thanë diplomatë dhe zyrtarë për The Washington Post.
Sipas të njëjtave burime, Rustem Umerov, negociatori i presidentit Volodymyr Zelensky, ka kryer tre vizita në Miami ditët e fundit për t’u takuar me këshilltarin kryesor të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe për të diskutuar një propozim për t’i dhënë fund luftës gati katërvjeçare me Rusinë.
Por gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara, Umerov ka zhvilluar gjithashtu takime me dyer të mbyllura me drejtorin e FBI-së, Cass Patel, dhe zëvendësdrejtorin Dan Bonzino, sipas katër personave që folën në kushte anonimiteti.
Takimet kanë ngritur shqetësime mes zyrtarëve perëndimorë, të cilët mbeten në errësirë mbi qëllimin dhe peshën e tyre.
Disa besojnë se Umerov dhe zyrtarë të tjerë ukrainas po kërkojnë amnisti lidhur me akuza të mundshme korrupsioni, ndërsa të tjerë frikësohen se kanali i ri i komunikimit mund të përdoret për të ushtruar presion mbi administratën Zelensky që të pranojë një marrëveshje paqeje të propozuar nga administrata Trump, e cila përfshin lëshime të rëndësishme për Kievin.
Ambasadorja e Ukrainës në Uashington, Olga Stefanyshyna, konfirmoi takimin e Umerovit me FBI-në dhe i tha The Washington Post se “u trajtuan vetëm çështje të sigurisë kombëtare”, të cilat nuk mund të bëhen publike.
Zyrtarët e FBI-së thanë se në takimet me Umerovin u diskutuan çështje që lidhen me bashkëpunimin në zbatimin e ligjit dhe sigurinë kombëtare të SHBA-së dhe Ukrainës. Ata shtuan se korrupsioni në Ukrainë u përmend në njërin prej takimeve, por nuk ishte tema kryesore.
Të dy zyrtarët e FBI-së kanë kritikuar publikisht Ukrainën në disa raste. Patel, në mars, vuri në pikëpyetje nivelin e ndihmës amerikane për Ukrainën dhe i kërkoi Kongresit të hetojë nëse një pjesë e fondeve të dërguara atje ishte keqpërdorur.
Ndërkohë, Bonzino akuzoi Zelensky-n për mbulimin e aktiviteteve të dyshuara korruptive të djalit të ish-presidentit Joe Biden, i cili punonte në një kompani energjetike në Ukrainë dhe ishte në qendër të debateve.
Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se “zyrtarët amerikanë komunikojnë rregullisht me udhëheqës në mbarë botën për çështje të sigurisë kombëtare me interes të përbashkët”.
Ai shtoi se ekipi i sigurisë kombëtare i Trump “ka folur si me rusët ashtu edhe me ukrainasit për të lehtësuar një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës” dhe se ata që shprehin shqetësime për takimet me FBI-në “nuk kanë qasje në këto biseda diplomatike dhe nuk dinë çfarë diskutohet”.
Një zëdhënës i zyrës së Zelensky-t nuk pranoi të komentojë për takime specifike, por tha se “është e pakuptimtë të lidhet gjithçka me ‘korrupsionin’”.
LEXONI GJITHASHTU:
Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit
Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
Të fshehur brenda kamionit cisternë, gjenden 30 emigrantë në Turqi! Një i arrestuar
- 19:28 Spanja zbulon 111 raste me kancer që lidhet me implantet e gjirit
- 19:25 Babai i Martin Canit i bashkohet protestës kundër projektit në Zvërnec (VIDEO)
- 19:18 Prattipati i bën thirrje Kosovës t’i bashkohet projektit amerikan për gazin
- 19:10 Konflikti në Ukrainë, Lavrov: SHBA nuk i kanë respektuar marrëveshjet, lufta e Bidenit tani është bërë e Trumpit
- 19:03 FOTOLAJM/ Del pankarta zyrtare e protestuesve: Nuk ka negociata, kërkesat janë të qarta
- 19:01 Rama nga Mali i Zi: Ta harrojnë të gjithë, po na kalon prap huq topi i historisë së Shqipërisë së Re Europiane