“Kolonia e pikturës në Vlorë”, çelet ekspozita me peizazhe e disa prej piktorëve më të njohur vendas

6 Qershor 2021 | 19:24

Njëzetekatër piktorë nga vendi u mblodhën në Vlorë në “koloninë” e radhës të pikturës, në kujdesin e arkitektit Piro Stefa. Pas pesë ditësh punë krijuese, këtë fundjavë u çel ekspozita me punimet e tyre. Gjashtëdhjetë punime kanë firmën e personaliteteve të pikturës shqiptare që nga mjeshtërit Buron Kaceli, Ardian Devolli si dhe i mirënjohuri Kujtim Buzi e deri te Edi Kojani.

Peizazhi zotëroi punimet, ndërsa binte në sy larmia e ngjyrave. Për mjeshtrin Kaceli, Vlora nuk është vetëm natyrë frymëzuese por dhe mikpritëse. 

“Kam qene në dy kolonitë e para. Janë 60 piktura të ekspozuara, motive po kryesisht peizazhe. Pesë ditë shumë të bukura. Natyra e Vlorës por edhe mikpritjacilën e ndiem shumë si edhe interesin për pikturën çka na jepte shumë kënaqësi dhe na bënte të punonim më fort,” – tha piktori Buron Kaceli.

Edi Kojani piktori vlonjat pjesëmarrës në të gjitha kolonitë thotë se prezantohet me tre peizazhe nga fshati Nartë, një lagje e vjetër e Vlorës dhe ishullin e Sazanit.

“Gjithmonë jam pjesë e kolonive, shkojmë në vende të ndryshme sëbashku me kolegë të tjerë dhe pikturojmë. Në këtë prezantim kam dy peizazhe, një nga Narta dhe një nga rrugicat e njohura si “Sheshi i Kateqit” dhe pastaj mendova Sazanin që për mua është monument për nga bukuria dhe madhështia. Piktura duhet të luaj me ngjyrat atje e ka bukurinë,” – tha Kojani.

Piktorja nga Durrësi Marjana Goxhabelliu thotë se ka punuar fort me ngjyrat për të theksuar ndryshimet në infrastrukturën e Vlorës.

“Është hera e katërt që marr pjesë në Koloninë e piktorëve. Jam me tre punë, kam përdorur  dy ngjyra, ngjyrën bojë qielli të detit dhe jeshilen e malit duke prezantuar kaosin që ka qenë Vlora dhe duke shkuar  drejt parajsës gjësë më të bukur që unë e adhuroj Vorën e cila bëhet gjithmonë më e bukur. Po ta shohësh po shkojmë drejt sistemimit po i qëndisim qytetet dhe kjo më frymëzon,” – u shpreh Goxhabelliu.

Për organizatorin, arkitektin Piro Stefa është kënaqësi të bashkëpunosh me pesha të rënda sipas tij, të artit vizual shqiptar.

“Kemi që prej [vitit] 2010 që e organizojmë këtë, gati çdo dy vjet ne organizojmë kolonia e artistëve shqiptar. Këtë vit për arsye të Covidit e kemi reduktuar vetëm për artistë brenda Shqipërisë, 24 piktorë janë sivjet, janë të ekspozuara 60 punë. Këtu mund të shikosh individualitete, aromë Vlore një dashuri të madhe, dhe e bërë në prag të sezonit është një mesazh që ta duam më shumë Vlorën, të krijojmë një mundësi që ky qytet te behët një epiqendër e madhe e turizmit shqiptar,” – thotë Stefa.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Kolona zanore e filmit “Odisea” nga Nolan u frymëzua nga polifonia shqiptare! Kompozitori regjistroi barinjtë e Jugut në orën 4 të mëngjesit

Një pjesë e shpirtit të Shqipërisë do të dëgjohet në një nga filmat më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar,...
15:44 | 15/07/2026

Simfonia e 9-të e Beethovenit, kryevepra e muzikës klasike ngjitet në skenën e TKOB

Një nga kryeveprat botërore më ndikim në histori të muzikës klasike, Simfonia e 9-të e Beethovenit, do të ngjitet në skenën shqiptare të Teatrit Kombëtar...
19:18 | 14/07/2026

Ndahet nga jeta ikona e humorit Todi Llupi

Arti dhe kultura fierake kanë humbur një nga figurat e tyre më të dashura. Është ndarë nga jeta aktori dhe humoristi i njohur Todi Llupi,...
10:33 | 14/07/2026