Franca paralajmëron SHBA-të: Çdo tentativë për marrjen e Groenlandës rrezikon marrëdhëniet tregtare me BE-në

16 Janar 2026 | 17:33

Franca ka dërguar një paralajmërim të qartë drejt Uashingtonit, se çdo përpjekje e Shteteve të Bashkuara për të marrë kontrollin e Groenlandës do të përbënte një “vijë të kuqe” dhe do të rrezikonte seriozisht marrëdhëniet ekonomike mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

Ministri francez i Financave, Roland Lescure, deklaroi se ia ka përcjellë këtë mesazh drejtpërdrejt sekretarit amerikan të Thesarit, Scott Bessent, gjatë një takimi në Uashington, raporton Financial Times. Sipas tij, shqetësimi në Evropë është i thellë për shkak të deklaratave të përsëritura të presidentit amerikan Donald Trump mbi “marrjen e pronësisë” së Groenlandës, territor autonom që i përket Mbretërisë së Danimarkës.

“Groenlanda është pjesë sovrane e një shteti sovran që është anëtar i BE-së. Kjo nuk është diçka me të cilën mund të luhet”, shprehet Lescure për Financial Times.

Pavarësisht tensioneve me administratën Trump për çështje si Groenlanda, tarifat doganore dhe rregullimi i gjigantëve amerikanë të teknologjisë, Franca thekson se dialogu me SHBA-të duhet të vazhdojë. Lescure nënvizoi se Evropa ka interes strategjik të bashkëpunojë me Uashingtonin në fusha kyçe, përfshirë përpjekjet për të ulur varësinë nga Kina në zinxhirët e furnizimit me minerale të rralla, një iniciativë që Franca synon ta shtyjë përpara në kuadër të G7-s.

Megjithatë, ai pranoi se një pushtim i mundshëm i Groenlandës do ta ndryshonte rrënjësisht situatën.

“Nëse do të ndodhte diçka e tillë, do të hynim në një botë krejtësisht të re dhe do të duhej të përshtateshim”, u shpreh ai, duke shmangur spekulimet për sanksione të mundshme ekonomike ndaj SHBA-ve.

BE-ja dhe SHBA-të përbëjnë marrëdhënien më të madhe tregtare dypalëshe në botë.

Sipas të dhënave të BE-së, tregtia e mallrave dhe shërbimeve mes dy palëve kaloi 1.6 trilion euro në vitin 2024, me SHBA-të si tregun më të madh të eksportit për bllokun evropian.

Sipas Lescure, qasja e administratës Trump e ka bërë bashkëpunimin gjithnjë e më të vështirë, duke i përshkruar SHBA-të si aleatë që herë sillen si partnerë strategjik e herë si kundërshtarë të paparashikueshëm. Një tjetër pikë përplasjeje mbetet rregullimi evropian i kompanive të mëdha amerikane të teknologjisë. Ai konfirmoi se SHBA-të kanë shprehur pakënaqësi për gjobat e vendosura nga BE-ja, përfshirë penalizimin prej 120 milionë eurosh ndaj platformës X në dhjetor.

“Ligjet evropiane do të zbatohen për çdo kompani që operon në Evropë”, tha Lescure.

Ndërkohë, Franca përballet edhe me sfida të brendshme serioze. Deficitet e larta buxhetore dhe bllokimi politik në parlament po kufizojnë ambiciet e Parisit në politikën e jashtme. Qeveria synon ta ulë deficitin në 5% të PBB-së në vitin 2026, ndërsa kriza buxhetore ka forcuar pozitat e ekstremit të djathtë përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.

Lescure argumenton se arritja e një marrëveshjeje buxhetore do të ishte thelbësore për të frenuar rritjen e së djathtës ekstreme, duke treguar se partitë tradicionale janë ende të afta të qeverisin.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE dërgon ndihmë emergjente në Venezuelë pas tërmeteve vdekjeprurëse

Bashkimi Evropian ka dërguar ndihmë emergjente në Venezuelë pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin më 24 qershor, duke shkaktuar viktima dhe dëme të...
18:19 | 26/06/2026

Vala e të nxehtit merr jetë njerëzish në Francë, 55 vdekje të regjistruara në Paris brenda një dite

Të paktën 55 vdekje u regjistruan dje nga shërbimet e urgjencës mjekësore (SAMU) në Paris, një shifër shumë herë më e lartë se mesatarja e...
17:34 | 26/06/2026

Volkswagen planifikon të shkurtojë deri në 100,000 vende pune dhe ndoshta të mbyllë fabrikat

Prodhuesi gjerman i makinave Volkswagen po shqyrton një valë të re të madhe ristrukturimi në të cilën deri në 100,000 vende pune mund të shkurtohen...
17:01 | 26/06/2026