KOSTT: Kosova po përballet me vështirësi në balancimin e sistemit energjetik

20 Janar 2026 | 12:09

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut në Kosovë (KOSTT) njoftoi se shteti po përballet me probleme të furnizimit me energji elektrike.

Përmes një njoftimi më 20 janar, KOSTT tha se po përballet me vështirësi në balancimin e sistemit energjetik, për shkak të, siç u shpreh, devijimeve të mëdha midis energjisë së nominuar dhe kërkesës reale.

Energjia e nominuar është parashikimi që bën Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) se sa energji u duhet konsumatorëve.

“Sot, KESCO ka nominuar rreth 26.17 për qind më pak energji sesa kërkesa reale, duke e çuar zonën e kontrollit KOSTT në jobalanca mesatare prej rreth 211 MW në orë, ndërsa në disa orë këto jobalanca tejkalojnë 260 MW në orë. Kjo situatë është e papranueshme dhe cenon stabilitetin e sistemit elektroenergjetik”, u tha në njoftim.

KOSTT-i kërkoi që nominimet të reflektojnë “saktë kërkesën reale” duke kërkuar korrigjim të menjëhershëm në mënyrë të që ruhet siguria e sistemit energjetik.

“Në këtë situatë, KOSTT është detyruar që të kërkojë aplikimin e kufizimit të ngarkesës, si masë e fundit për garantimin e operimit të sigurt, deri në përmirësimin e gjendjes”, u tha në njoftim.

Qytetarët në Kosovë janë përballur me mungesë të energjisë elektrike edhe në të kaluarën, dhe rasti i fundit ishte në dhjetorin e vitit 2025, kur autoritetet bën thirrje për kursim të energjisë elektrike në orët e pikut.

Kosova prodhon pjesën më të madhe të energjisë elektrike përmes dy termocentraleve të vjetra, Kosova A dhe B.

Përmes këtyre dy termocentraleve, që funksionojnë me thëngjill, Kosova prodhon 94 për qind të energjisë, apo rreth 800 megavat në orë, ndërkaq pjesa tjetër sigurohet përmes energjisë së gjelbër, përkatësisht nga hidrocentralet, turbinat e erës dhe panelet diellore.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka thënë se vetëm më 2025 ka ndarë miliona euro për rehabilitimin e tyre.

Por, ish-ministri i Energjisë në Kosovë, Ethem Çeku, i tha Radios Evropa e Lirë në fund të dhjetorit 2025 se thelbi i krizës së energjisë është mungesa e investimeve kapitale në sektorin e energjisë dhe pamundësia për tërheqjen e investitorëve të mëdhenj.

Ai i ka cilësuar investimet në këtë sektor si “arna-arna”, duke shtuar se paratë e shtetit shkojnë kryesisht në blerje të energjisë dhe kjo, sipas Çekut është politikë e gabuar.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se vendi ka importuar rrymë në vlerë të rreth 248 milionë eurove në periudhën janar-nëntor 2025, ndërsa ka eksportuar në vlerë të rreth 48 milionë eurove.

Importin, Kosova e ka siguruar kryesisht nga Maqedonia e Veriut, në vlerë të 114 milionë eurove, dhe nga Shqipëria, në vlerë të 94 milionë eurove, ndërsa ka importuar në vlera nga 3-4 milionë edhe nga Sllovenia, Serbia e Danimarka./ REL

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE ndaj institucioneve të Kosovës: Ndaleni menjëherë rrënimin e villave në Ujman!

Bashkimi Evropian në Kosovë u ka bërë thirrje autoriteteve në Kosovë që të ndërpresin menjëherë rrënimin e villave të pronarëve serbë në afërsi të Liqenit...
16:25 | 22/07/2026

Haxhiu dekretoi largimin e 20 prokurorëve serbë, reagon Ambasada e SHBA-së në Prishtinë

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka dekretuar largimin përfundimtar nga puna të 20 prokurorëve serbë të cilët ishin larguar nga vendet...
11:20 | 22/07/2026

​Haxhiu: Të premten do të caktoj datën e seancës konstituive të Kuvendit

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë me dije se të premten do ta caktojë datën e mbledhjes konstituive të Kuvendit....
09:52 | 22/07/2026