Rruga e Ryan Wedding, nga snowboardist olimpik në “Escobarin” modern të kokainës
Për të garuar në nivelet më të larta të snowboarding-ut, garuesit duhet të zotërojnë në mënyrë të përsosur kthesat e thella (carving), kontrollin e skajeve të dërrasës dhe ekuilibrin, në shpejtësi që shkojnë përtej kufijve të imagjinatës. Ata janë në gjendje të lexojnë me saktësi nuancat e borës dhe të rregullojnë imtësisht trupin e tyre për të kaluar vijën e finishit më shpejt se kushdo tjetër.
Snowboardisti kanadez Ryan Wedding i kishte këto aftësi por edhe cilësinë që i katapulton amatorët në nivel elitar: një instinkt jashtëzakonisht konkurrues për të fituar, i cili ndonjëherë mund të shfaqet si dëshirë për të shtypur rivalët.
Këto tipare ndoshta nuk i shërbyen aq sa kishte shpresuar kur garoi në Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2002 në Salt Lake City. Pista ishte e akullt, ai gaboi në vlerësimin e kthesave dhe, në fund, nuk arriti të ngjitej në podium.
Por cilësia tjetër dëshira e egër dhe e pamëshirshme për sukses duket se i shërbeu në ngjitjen e tij të shpejtë si udhëheqës i një rrjeti famëkeq të trafikut të drogës, i cili, sipas autoriteteve amerikane, gjeneronte rreth 1 miliard dollarë në vit nga shitja e kokainës. Wedding dyshohet se ka urdhëruar vrasjen e atyre që i dilnin përpara.
Të premten, zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit në SHBA njoftuan se Wedding ishte arrestuar, duke i dhënë fund rrugëtimit të kanadezit nga një atlet i ri premtues në një bos droge, i njohur me nofkat e dyshuara “El Jefe”, “Giant” dhe “Public Enemy”. Historia e tij është shpalosur si subjekt i një romani triller të blerë në aeroport, me akuza për vrasjen e një dëshmitari, një avokat të korruptuar dhe dërgesa kokaine që kalonin pa u zbuluar përtej kufijve kombëtarë.
Por, ndonëse thelbi i historisë është i vërtetë, analistët sugjerojnë se autoritetet amerikane mund ta kenë ekzagjeruar shkallën e veprimtarisë së Wedding, duke krijuar figurën e një “mbreti” të drogës që tani është kapur me bujë, pikërisht në një kohë kur administrata Trump po i kërkon qeverisë meksikane të bëjë më shumë kundër trafikut të drogës.
Sipas të gjitha dëshmive, vitet e hershme të Wedding në qytetin Thunder Bay në Ontarion verior ishin sa më larg që të ishte e mundur nga një jetë me makina luksoze, aleanca me kartele droge dhe një ndjekje ndërkombëtare. Gjyshërit e tij zotëronin resortin e skive Mount Baldy, një kodër modeste që hodhi themelet për aftësitë e nevojshme për të garuar si snowboardist në arenat më prestigjioze botërore.
Pas rezultatit zhgënjyes në Olimpiadën e vitit 2002, drejtimi i jetës së Wedding ndryshoi në mënyrë dramatike. Një profil në revistën Toronto Life tregonte se ai punoi si roje sigurie në një klub nate dhe stërvitej në mënyrë agresive në palestër për të ndërtuar fizikun.
Ai u përfshi në blerje dhe rishitje pronash, krijoi një koleksion të vogël automjetesh të shtrenjta dhe filloi të vishej sipas modës së popullarizuar nga anëtarët e bandave që frekuentonin klubet ku punonte Wedding.
Në vitin 2006, emri i tij u përmend në një urdhër kontrolli që hetonte një operacion për kultivimin e marijuanës në British Columbia, por ai nuk u akuzua kurrë. Katër vjet më vonë, megjithatë, Wedding u dënua për komplot për shpërndarje kokaine, pasi tentoi ta blinte drogën nga një agjent i qeverisë amerikane, dhe u dënua me katër vjet burg.
Burgosja bëri që ai të humbiste mundësinë për të garuar para publikut të qytetit të tij kur Vankuveri priti Lojërat Olimpike Dimërore të vitit 2010. Por prokurorët thonë se ai e shfrytëzoi këtë kohë për të krijuar marrëdhënie kyçe me tregtarë droge, duke zgjeruar rrjetin e tij dhe duke ndërtuar kontakte të besuara që, në vitet pasuese, do t’i jepnin atij ndikim të madh.
Shtrirja e rrjetit të tij të dyshuar u bë e qartë në janar, kur Jonathan Acebedo-García, një shtetas kanadez, u vra në një restorant të njohur në Medellín, qyteti i dytë më i madh i Kolumbisë.
Sipas CBC News, Acebedo-García e kishte njohur Wedding në një burg në Teksas dhe kishte filluar të punonte me të pasi të dy u liruan. Ai u bë një aleat i besuar derisa nisi të bashkëpunonte si informator i FBI-së. Wedding më vonë do ta quante atë “miu” dhe “spiun”.
Prokurorët thonë se Wedding tregoi aftësinë e tij për hakmarrje kur përdori një blog kanadez të quajtur The Dirty Newz për të gjurmuar Acebedo-García dhe gruan e tij.
Autoritetet pretendojnë se pronari i faqes ra dakord të mos publikonte materiale për Wedding. Në vend të kësaj, ai dyshohet se pranoi para për të postuar një fotografi të Acebedo-García, të cilën e publikoi më 5 nëntor 2024 me mbishkrimin:
“Ky tip i vetëm 🐀 tradhtoi një nga rrjetet më të forta të botës së krimit që ka parë ky 🌍. Ka shumë gjasa që të mos gjendet më kurrë.” Që atëherë, faqja Dirty Newz është sekuestruar nga autoritetet amerikane.
Gati tre muaj pas atij postimi, vrasës me pagesë lokalizuan Acebedo-García, i cili kishte jetuar në Medellín për një vit. Ata e ndoqën atë deri në lagjen luksoze El Poblado.
Aty, në orën 14:30 të 31 janarit, ai porositi ushqim në Mi Arepa, një zinxhir restorantesh i njohur për bukët tradicionale të misrit. Ndërsa po hante, një person i armatosur hyri në lokal dhe e qëlloi Acebedo-García pesë herë pas koke, duke e vrarë në vend, përpara se të largohej me një motoçikletë.
Besohet se Wedding i dërgoi një “gjerdan të stolisur me gurë të çmuar” njërit prej personave të përfshirë në vrasje dhe shpërndau një fotografi të trupit të Acebedo-García te bashkëpunëtorët e tij, si paralajmërim kundër mosbesnikërisë.
Vrasja e hapur, në mes të ditës, në Medellín është më e fundit në një varg vrasjesh me pagesë që prokurorët i kanë lidhur me Wedding. Në vitin 2023, persona të armatosur sulmuan një shtëpi me qira në Caledon, Ontario, duke besuar se po shënjestronin kriminelë rivalë që kishin vjedhur një dërgesë droge. Në vend të kësaj, ata vranë Jagtar Singh Sidhu, 57 vjeç, dhe Harbhajan Kaur Sidhu, 55 vjeçe, të cilët kishin mbërritur në Kanada vetëm katër muaj më parë. Vajza e tyre, Jaspreet Kaur Sidhu, u qëllua 13 herë dhe mbeti e plagosur rëndë. Vitin pasues, Mohammed Zafar, 39 vjeç, u qëllua për vdekje ndërsa ishte ulur në makinën e tij në oborrin e shtëpisë në Brampton, Ontario, për shkak të asaj që policia thotë se ishin borxhe droge.
Më 5 dhjetor, shoqata e avokatëve e Ontarios pezulloi licencën e një avokati për të cilin FBI thotë se e kishte këshilluar Wedding-un të vriste një dëshmitar kyç.
Deepak Balwant Paradkar, një avokat me bazë në periferi të Torontos, përdorte emrin @Cocaine_lawyer në rrjetet sociale dhe kishte ndërtuar një reputacion si dikush që ndihmonte trafikantë të profilit të lartë të drogës t’i shmangeshin akuzave.
“[Paradkar] i tha [Wedding-it]: ‘Nëse e vret këtë dëshmitar, çështja do të hidhej poshtë’”, tha Bill Essayli, ndihmës-prokurori i parë i SHBA-së për distriktin qendror të Kalifornisë.
“Ai avokat tani është në paraburgim dhe do të ekstradohet për t’u sjellë përpara drejtësisë këtu në Shtetet e Bashkuara.”
Paradkar është liruar me kusht në pritje të procedurave të ekstradimit dhe ka deklaruar se synon t’i kundërshtojë akuzat.
Për vite me radhë, Wedding i ka shpëtuar kapjes duke u fshehur në Meksikë, gjoja nën mbrojtjen e kartelit Sinaloa. Në nëntor, shpërblimi për informacion që çonte në arrestimin e tij u rrit në 15 milionë dollarë – një shumë që e vendoste atë në të njëjtin nivel me bosët më të fuqishëm të karteleve në Meksikë.
“Mos kini asnjë dyshim, Ryan Wedding është versioni modern i Pablo Escobarit,” tha drejtori i FBI-së, Kash Patel. “Ai është versioni modern i El Chapo Guzmán-it.”
Por ekspertët e sigurisë në Meksikë ishin skeptikë ndaj krahasimeve të Wedding-it me figura si El Chapo, i cili bashkëthemeloi dhe drejtoi kartelin Sinaloa, një nga organizatat kriminale më të fuqishme në botë, deri sa u ekstradua në SHBA në vitin 2017.
“Nuk ka asnjë tregues që [Wedding] kontrollon territor, as që është në krye të një milicie të armatosur, as që është një figurë kryesore politike,” tha Stephen Woodman, analist sigurie në Guadalajara, Meksikë.
Dhe ndonëse autoritetet amerikane pretendojnë se rrjeti i Wedding-it trafikonte 60 tonë kokainë në vit, kjo shifër nuk përmendet në aktakuzë, e cila flet vetëm për raste specifike ku lëvizeshin disa qindra kilogramë në çdo rast.
“Do të thosha se kjo është një administratë amerikane shumë ‘performative’, që i pëlqen t’u japë fytyra çështjeve të trafikut ndërkombëtar të drogës,” tha Woodman. “Dhe mund të prisni që të bëhen filma dhe dokumentarë për këtë njeri.”/The Guardian
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 13:47 Vrasja e policit gjatë operacionit në Maliq, Lamallari nga Trauma: Hetim i thelluar mbi përgjegjësitë
- 13:36 Prishtina solidarizohet me Tiranën, protestë kundër investimit në Zvërnec
- 13:34 Samiti BE-Ballkani Perëndimor më 5 qershor, zbardhen pikat kryesore të agjendës
- 13:30 Plumba mbi policinë, vritet efektivi në krye të detyrës, plagoset kolegu i tij
- 13:28 Bordi i Transparencës publikon çmimet e reja të karburanteve, sa do shitet nafta dhe benzina
- 13:22 Presidenti finlandez propozon një BE me 40 anëtarë, përfshirë Kanadanë