Starmer takon Xi Jinping në Pekin: Kina është një partner jetik për Britaninë

29 Janar 2026 | 07:48

Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, u takua në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, në takimin e parë mes një kryeministri të Mbretërisë së Bashkuar dhe një presidenti të Kinës në territorin kinez pas tetë vitesh. Takimi u zhvillua në Sallën e Madhe të Popullit dhe zgjati rreth një orë e 20 minuta, pothuajse dy herë më shumë nga sa ishte parashikuar.

Në fjalën e tij në hapje, Starmer theksoi se dëshiron ndërtimin e një marrëdhënieje “më të sofistikuar” mes Londrës dhe Pekinit, duke e cilësuar Kinën si një partner “jetik” në skenën globale. “Duke pasur parasysh popullin britanik, jam këtu sot”, u shpreh kryeministri, duke shtuar se kishte premtuar rikthimin e Britanisë në një rol aktiv në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Nga ana e tij, presidenti Xi Jinping pranoi se marrëdhëniet mes dy vendeve “kanë kaluar disa kthesa që nuk u kanë shërbyer interesave të përbashkëta”, por theksoi se, duke u ngritur mbi dallimet dhe duke respektuar njëri-tjetrin, të dy vendet mund t’i rezistojnë “provës së historisë”. Xi deklaroi se Kina është e gatshme të zhvillojë me Mbretërinë e Bashkuar një partneritet strategjik afatgjatë, të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.

Sipas deklaratës zyrtare të qeverisë kineze, të dy udhëheqësit diskutuan edhe situatën ndërkombëtare, të cilën Xi e përshkroi si “komplekse dhe të paqëndrueshme”, duke bërë thirrje për forcimin e dialogut dhe bashkëpunimit për ruajtjen e paqes globale. Presidenti kinez këmbënguli se Kina nuk përbën kërcënim për vendet e tjera dhe se thelbi i bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve është përfitimi i ndërsjellë.

Në fokus të bisedimeve ishte edhe bashkëpunimi praktik. Më vonë gjatë vizitës pritet të nënshkruhet një marrëveshje për zbatimin e përbashkët të ligjit, që synon luftën kundër kontrabandës së njerëzve dhe trafikut të opioideve sintetike. Marrëveshja parashikon shkëmbim inteligjence, bashkëpunim me prodhues kinezë dhe përshpejtim të kthimit të personave pa të drejtë qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar.

Para takimit, Starmer deklaroi se marrëveshja do të ndihmojë në ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit të bandave kriminale që në burim, duke parandaluar kalimet e rrezikshme dhe duke rivendosur kontrollin në kufijtë britanikë. Ai e cilësoi këtë si pjesë të qasjes së “Britanisë së re”, që synon rezultate konkrete për qytetarët përmes angazhimit ndërkombëtar.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Numri i të vdekurve nga tërmetet në Venezuelë rritet në 920

Numri i të vdekurve nga dy tërmetet e fuqishme që goditën Venezuelën është rritur në 920, ndërsa numri i të plagosurve ka arritur në 3,360,...
21:13 | 26/06/2026

Agjencia detare e OKB: Evakuohen 115 anije nga Ngushtica e Hormuzit

Agjencia detare e OKB-së bëri të ditur se që nga e marta janë evakuuar rreth 115 anije dhe 2,500 detarë nga Ngushtica e Hormuzit, ndërsa...
20:50 | 26/06/2026

Trump kërcënon me tarifa 100% ndaj vendeve që taksojnë kompanitë amerikane

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar se do të vendosë tarifa prej 100% për importet nga çdo vend që miraton një taksë...
20:47 | 26/06/2026