Si Shtëpia e Bardhë po përdor imazhet me IA për propagandë dhe provokim politik

29 Janar 2026 | 18:43

Gjatë administratës së Donald Trump, Shtëpia e Bardhë ka hyrë në atë që studiuesit e kulturës digjitale e quajnë “epoka e slopagandës”, një miks i qëllimshëm i propagandës politike me imazhe të krijuara nga Inteligjenca Artificiale, meme provokuese, nostalgji artificiale dhe manipulime vizuale, të cilat synojnë më shumë të provokojnë emocione sesa të informojnë publikun.

Sipas raportimeve të The Guardian, gjithçka nisi kur u publikua një imazh i falsifikuar i Trump, i paraqitur si “mbret” në kopertinën e revistës Time. Që atëherë, komunikimi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë në rrjetet sociale është mbushur me përmbajtje që studiuesit e quajnë “shitposting institucional”: trolling i drejtpërdrejtë dhe i qëllimshëm nga vetë institucionet shtetërore.

Ekspertët theksojnë se administrata Trump jo vetëm që i ka dhënë industrisë së IA-së liri pothuajse të pakufizuar rregullatore, por ka përqafuar teknologjinë për qëllime të brendshme propagandistike. Don Caldwell, redaktor i platformës “Know Your Meme”, e cilëson këtë si një kalim të trolling-ut nga forumet ekstreme online drejt komunikimit zyrtar qeveritar.

Ndër imazhet më të diskutuara renditen: Trump si Papë, Trump si Jedi në Ditën e Star Wars, përdorimi i stilit vizatimor të Studio Ghibli për të portretizuar një grua emigrante gjatë dëbimit nga ICE, apo video dhe posterë që shpallin SHBA-në në një “epokë të artë”. Shumë prej këtyre imazheve kanë shkaktuar reagime të forta nga komunitete fetare, organizata të të drejtave të njeriut dhe politikanë opozitarë, por Shtëpia e Bardhë i ka mbrojtur si “satirë” ose “humor”.

Sipas The Guardian, rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te provokimi, por te fakti që këto imazhe, edhe kur njihen si të rreme, ndikojnë në perceptimin publik. Studime akademike tregojnë se informacioni vizual i pavërtetë vazhdon të ndikojë në bindjet e njerëzve edhe pasi është përgënjeshtruar.

Një moment veçanërisht shqetësues ishte publikimi i një imazhi të manipuluar të aktivistes së të drejtave civile Nekima Levy Armstrong, e arrestuar gjatë një proteste në Minneapolis. Versioni i shpërndarë nga Shtëpia e Bardhë e paraqiste atë të ekzagjeruar emocionalisht, me tone të errësuara të lëkurës, duke ngritur shqetësime serioze për përdorimin e IA-së si mjet diskreditimi dhe poshtërimi personal.

Studiues të medias digjitale paralajmërojnë se këto praktika shkojnë përtej humorit politik. Ato krijojnë një realitet paralel, ku falsifikimi vetë shndërrohet në mesazh: shfaqje force dhe pushteti për të manipuluar imazhin, narrativën dhe faktet.

Në fund, The Guardian vëren se kjo strategji e re e komunikimit synon jo bindjen racionale, por mobilizimin emocional të bazës politike, duke përdorur IA-në si mjetin më të shpejtë për të prodhuar propagandë jo të vërtetë. Siç u shpreh një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë pas kritikave: “Zbatimi i ligjit do të vazhdojë. Memet do të vazhdojnë.”

Një deklaratë që përmbledh më së miri epokën e re të “slopagandës” në politikën amerikane.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Republikanët amerikanë po largohen nga Izraeli, Netanyahu rrezikon të humbasë mbështetjen më të fortë

Mbështetja tradicionale e Partisë Republikane për Izraelin po shfaq shenja dobësimi, ndërsa gjithnjë e më shumë republikanë, veçanërisht të rinjtë, po shprehin qëndrime kritike ndaj...
21:18 | 29/06/2026

Irani: Nuk janë planifikuar bisedime me SHBA-në në ditët në vijim

Irani tha të hënën se nuk janë planifikuar takime negociuese me Shtetet e Bashkuara në asnjë nivel në ditët në vijim, pasi Teherani mbetet i...
20:47 | 29/06/2026

Mrekulli në Venezuelë, 21-vjeçari nxirret i gjallë pas 4 ditësh nën rrënoja (VIDEO)

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, ka njoftuar se një 21-vjeçar është shpëtuar i gjallë nga rrënojat e një ndërtese, pas tërmeteve me magnitudë 7.2...
20:01 | 29/06/2026