Të paktën 85 persona humbën jetën në SHBA për shkak të stuhisë së dëborës

30 Janar 2026 | 09:01

Të paktën 85 persona kanë vdekur në Shtetet e Bashkuara, nga Teksasi në Nju Xhersi, si pasojë e stuhisë së dëborës dhe temperaturave të ulëta që ranë në 40 gradë nën zero, thanë zyrtarët amerikanë.

Gjysma e vdekjeve u raportuan në Tenesi, Misisipi dhe Luiziana, dhe ndërsa disa vdekje iu atribuan hipotermisë, të tjerat dyshohet se ishin të lidhura me ekspozimin ndaj monoksidit të karbonit nga burimet e nxehtësisë të përdorura në zonat pa energji elektrike, raportoi sot AP.

Më shumë se 230,000 shtëpi dhe biznese mbetën pa energji elektrike deri natën e kaluar, sipas të dhënave nga faqja e internetit Poweroutage.us që ndjek ndërprerjet, pasi stuhia dimërore përfshiu pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara fundjavën e kaluar.

Numri më i madh i ndërprerjeve të energjisë elektrike vazhdoi të regjistrohet në Misisipi dhe Tenesi, me rreth 87,000 klientë pa energji elektrike në secilin prej këtyre shteteve.

Meteorologët parashikojnë që temperaturat nën zero do të zgjasin në lindje të SHBA-së deri në shkurt dhe se ka një probabilitet të lartë për reshje të dendura dëbore në Karolinën e Veriut dhe të Jugut, Virxhinia dhe Xhorxhian verilindore këtë fundjavë, me borë të mundshme edhe në pjesë të Karolinës së Veriut dhe përgjatë Bregut Lindor nga Merilendi në Maine.

Me një valë tjetër të ftohti të rrezikshëm që po lëviz drejt jugut të SHBA-së duke filluar nga sot, ekspertët paralajmërojnë se rreziku i hipotermisë po rritet për banorët në disa pjesë të Misisipit dhe Tenesit, ndërsa ata hyjnë në ditën e gjashtë pa energji elektrike në temperatura nën zero gradë.

Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së tha se ajri arktik që lëviz drejt juglindjes sot do të ulë temperaturat tashmë të ngrira në minus 10 gradë Celsius në qytete si Nashville, ku më shumë se 79,000 shtëpi dhe biznese mbeten pa energji elektrike, gati një javë pasi një stuhi masive solli borë dhe akull në të gjithë SHBA-në lindore.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Treni i mallrave përplaset me një kamion në SHBA, një viktimë dhe një i plagosur rëndë! 17 vagona dalin nga shinat

Një person u vra dhe një tjetër u plagos rëndë pasi një tren mallrash u përplas me një kamion në lindje të Iowës të mërkurën në...
14:39 | 04/06/2026

11 raste në një javë, disa avionë rusë janë interceptuar në Baltik

Avionët luftarakë francezë u ngritën 11 herë gjatë javës së kaluar si pjesë e Misionit të Patrullimit Ajror Baltik të NATO-s, tha të enjten zëdhënësi...
14:27 | 04/06/2026

Ushtria amerikane sulm ndaj një anije të dyshuar me drogë në Oqeanin Paqësor, dy viktima

Ushtria amerikane sulmoi një anije të akuzuar për kontrabandë droge në Oqeanin Paqësor lindor të mërkurën, duke vrarë dy burra, ndërsa administrata Trump zhvillon një fushatë kundër trafikantëve të...
14:12 | 04/06/2026