Rusia rifillon sulmet e natës në qytetet kryesore të Ukrainës

3 Shkurt 2026 | 07:20

Rusia ka rifilluar sulmet me raketa dhe dronë ndaj qyteteve dhe infrastrukturës energjetike të Ukrainës, duke i dhënë fund një pauze të shkurtër të rënë dakord mes Moskës dhe Uashingtonit. Zyrtarët lokalë thanë të martën se bombardimet u zhvilluan në një moment kritik, teksa vendi po përballet me temperatura ekstreme dimërore.

Gazetarët e CNN në Kiev raportuan se dëgjuan disa shpërthime të forta gjatë natës. Sipas autoriteteve ukrainase, disa ndërtesa banimi shumëkatëshe dhe një çerdhe janë dëmtuar. Shërbimi Shtetëror i Emergjencave njoftoi se tre persona janë plagosur në sulmin ndaj kryeqytetit.

Një video e publikuar nga shërbimet e emergjencës tregon flakë që përfshijnë një bllok banimi dhe ekipe shpëtimi që punojnë gjatë gjithë natës në kushte ngrirjeje.

Presidenti rus Vladimir Putin kishte rënë dakord javën e kaluar të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj qyteteve të mëdha ukrainase dhe infrastrukturës energjetike deri të dielën, pas një “kërkese personale” nga presidenti amerikan Donald Trump, sipas Kremlinit. Pauza pasoi gjithashtu bisedimet trepalëshe mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, të parat të këtij lloji që nga pushtimi rus i Ukrainës në shkurt 2022.

Sulme janë raportuar edhe në qytetin Dnipro, i cili u godit nga raketa balistike, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës. Ndërkohë, Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i vendit, u shënjestrua nga raketa dhe dronë që goditën infrastrukturën energjetike, duke lënë të paktën 820 ndërtesa shumëkatëshe pa furnizim me ngrohje.

“Kjo ka një qëllim të qartë: të shkaktohet dëmi maksimal dhe të lihet qyteti pa ngrohje në ngrica të rënda”, deklaroi kryebashkiaku i Kharkivit, Ihor Terekhov.

Banorët e Kievit kaluan rreth shtatë orë nën alarm për sulme ajrore, ndërsa temperaturat ranë në nivele ekstreme. Të martën në mëngjes, sipas orës lokale, temperatura në Kiev ishte -20 gradë Celsius, ndërsa në Kharkiv arriti në -25 gradë Celsius.

Qytetarët u panë duke u strehuar në stacionet e metrosë së Kievit, të veshur me rroba të trasha dimri, të mbështjellë me batanije dhe çanta gjumi. Autoritetet ukrainase thanë se kjo ishte hera e parë që raportoheshin sulme ndaj objekteve energjetike dhe qyteteve kryesore që nga e enjtja e kaluar, megjithëse Rusia kishte vazhduar goditjet ndaj rrugëve logjistike dhe infrastrukturës së transportit.

“Në të ftohtin acarues, rusët vendosën të nisin një tjetër sulm masiv ndaj Kievit”, deklaroi Tymur Tkachenko, kreu i administratës ushtarake të kryeqytetit.

Kremlini ka konfirmuar se raundi i ardhshëm i bisedimeve trepalëshe mes Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që synojnë t’i japin fund luftës, do të zhvillohet të mërkurën dhe të enjten në Abu Dhabi.

Ndërkohë, kompania më e madhe private e energjisë në Ukrainë, DTEK, ka paralajmëruar se sistemi energjetik ndodhet në “gjendjen më të keqe në historinë moderne”. Drejtori ekzekutiv i kompanisë, Maxim Timchenko, tha për CNN se nga pesë termocentrale që operon DTEK, dy janë jashtë funksionit dhe tre të tjerat punojnë me kapacitet të reduktuar, për shkak të dëmeve nga sulmet e përsëritura ruse.

Ai theksoi se shpresa kryesore është zgjatja e armëpushimit energjetik në bisedimet e kësaj jave. Megjithatë, DTEK njoftoi se të dielën Moska kishte nisur një sulm në shkallë të gjerë ndaj minierave të qymyrit, duke goditur një autobus që transportonte minatorë pas përfundimit të turnit, ku humbën jetën të paktën 12 persona.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Tajani: Është SHBA-ja ajo që “duhet ta ndalojë Izraelin” për paqen në LM

Ministri i Jashtëm i Italisë Antonio Tajani tha të martën se Shtetet e Bashkuara janë vendi i pozicionuar më së miri për të ushtruar presion...
22:35 | 03/06/2026

SHBA tërheq trupat nga Lituania

Shtetet e Bashkuara kanë nisur tërheqjen e më shumë se 1 mijë ushtarëve amerikanë dhe pajisjeve ushtarake nga Lituania pas përfundimit të një periudhe dislokimi...
22:33 | 03/06/2026

Irani shënjestron anijen amerikane në Gjirin e Omanit! Araghchi: Nëse Izraeli sulmon Bejrutin, rifillon lufta

Irani thotë se marina e saj shënjestroi një anije detare amerikane që strehonte një “qendër komande dhe kontrolli” ndërsa ajo po i afrohej ujërave territoriale...
22:27 | 03/06/2026