Rritet ndjeshëm turizmi, qyteti i Belshit vlerësohet me çmim ndërkombëtar

18 Mars 2026 | 15:53

Mes liqeneve të Dumresë dhe peizazhit të gjelbër që e rrethon, Belshi po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një nga destinacionet turistike më tërheqëse në Shqipërinë e Mesme. Bukuritë natyrore, qetësia dhe infrastruktura e përmirësuar turistike po tërheqin çdo vit një numër në rritje vizitorësh vendas dhe të huaj, duke e kthyer qytetin në një pikë të rëndësishme të turizmit natyror.

“Vij për herë të parë këtu. Kemi ardhur nga Londra dhe na pëlqeu shumë, ndaj vendosëm të vinim enkas. Është shumë bukur, ka shumë gjelbërim dhe ndërthur shumë bukur modernen me klasiken”, tha një zotëri.

Një tjetër shprehet se: “Është hera e parë që vij. Kam ardhur nga Golemi i Durrësit dhe më pëlqeu shumë. Është një investim shumë i bukur, vërtet nuk kam fjalë. Do të qëndrojmë edhe për të konsumuar një drekë tradicionale.”

Rritja e interesit për këtë destinacion pasqyrohet qartë edhe në shifrat e turizmit. Vetëm gjatë vitit 2025, Belshi është vizituar nga rreth 250 mijë turistë vendas dhe të huaj, një tregues i qartë i zhvillimit të shpejtë që ka pësuar zona vitet e fundit.

“Numri i vizitorëve në Belsh është në rritje nga viti në vit. Nëse kthehemi disa vite më parë, në vitin 2017 numëronim pothuajse zero vizitorë dhe zero struktura akomoduese. Sot, në vitin 2025, kemi mbi 250 mijë vizitorë vendas dhe të huaj”, tha Albert Hysa, Drejtor i Turizmit në Belsh.

Paralelisht me rritjen e numrit të turistëve, Belshi ka marrë edhe vlerësime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e turizmit të qëndrueshëm.

Pak ditë më parë, në liqenet e Belshit është shfaqur edhe Pelikani kaçurrel, një nga shpendët më të rrallë në Evropë. Prania e tij ka krijuar një spektakël të veçantë mbi ujërat e liqeneve dhe ka tërhequr vëmendjen e vizitorëve dhe banorëve të zonës.

Shfaqja e këtij shpendi të rrallë konsiderohet gjithashtu një tregues i rëndësishëm i biodiversitetit dhe i potencialit të lartë natyror që ofron zona, duke e forcuar më tej profilin e Belshit si destinacion i turizmit të qëndrueshëm dhe ekologjik.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shqipëria i përgjigjet thirrjes së OBSH për eleminimin e Hepatiteve B dhe C

“Le të thyejmë barrierat” kjo është motoja e ditës botërore të hepatiteve për vitin 2026. Ekspertët apelojnë për tu testuar dhe parandaluar hepatitet apo atë...
19:06 | 28/07/2026

Zbulimi i ri: ADN-ja ndikon në mënyrën si zhvillohet kanceri

Për herë të parë, shkencëtarët kanë sjellë prova se përbërja gjenetike e një personi ndikon në mënyrën se si zhvillohet kanceri. Zbulimi ndihmon në shpjegimin...
18:50 | 28/07/2026

Ndërron jetë në moshën 54-vjeçare akademiku dhe trajneri, Artan Pogoni

Një lajm i trishtë trondit komunitetin e sportit shqiptar. Akademiku Artan Pogoni, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pas një arresti kardiak gjate pushimeve në...
18:04 | 28/07/2026