Studimi: Nëse temperaturat globale rriten me 2°C, kriza ushqimore në botë mund të trefishohet
Numri i vendeve që bien në pasiguri kritike ushqimore mund të rritet pothuajse trefish, duke arritur në 24, nëse temperaturat globale rriten me 2°C, tregon një studim, shkruan The Guardian.
Analiza e Institutit Ndërkombëtar për Mjedisin dhe Zhvillimin (IIED) tregon se kriza klimatike do të prekë në mënyrë direkte sistemet ushqimore në vendet më të varfra, duke thelluar hendekun mes vendeve më të dhe më pak të rrezikuara.
Edhe pse ngrohja globale do të rrisë rrezikun e pasigurisë ushqimore në mbarë botën, sistemet ushqimore në vendet me të ardhura të ulëta parashikohet të përkeqësohen shtatë herë më shpejt se në vendet e pasura.
“Vendet që tashmë përballen me varfëri dhe mungesë të rrjeteve të sigurisë sociale pritet të përjetojnë përkeqësimin më të shpejtë të sistemeve ushqimore, pavarësisht se kanë kontribuar më pak në emetimet globale. Sot, gati 59% e popullsisë botërore jeton në vende me siguri ushqimore nën mesatare, dhe parashikimet tona tregojnë se ndryshimet klimatike ka gjasa ta thellojnë këtë hendek”, tha studiuesja e IIED dhe autorja e studimit, Ritu Bharadwaj.
Sipas saj, kjo mund të parandalohet duke “forcuar sistemet e mbrojtjes sociale që mund të reagojnë shpejt ndaj goditjeve klimatike, duke investuar në bujqësi dhe duke përmirësuar menaxhimin e ujit dhe tokës”.
IIED ka zhvilluar një Indeks të Sigurisë Ushqimore për 162 vende. Ai mat cenueshmërinë sistematike të gjithë sistemit ushqimor të një vendi dhe vlerëson se si kriza klimatike mund ta ndikojë atë në tre skenarë: nëse temperaturat globale rriten me 1.5°C, 2°C dhe 4°C mbi nivelet paraindustriale.
Indeksi gjithashtu vlerëson ndikimin e krizës klimatike në katër “shtylla” të sistemeve ushqimore, disponueshmërinë, aksesin, përdorimin dhe qëndrueshmërinë, dhe tregon se rreziku nuk shpërndahet njësoj në të gjitha këto shtylla.
Qëndrueshmëria dhe përdorimi janë shtyllat më të ndjeshme ndaj klimës, që do të thotë se shenjat e para të dëmit klimatik do të shfaqen në sistemet e ujit, kanalizimeve dhe shëndetësisë, duke bërë që njerëzit të kequshqehen edhe nëse ushqimi fizikisht është i disponueshëm. Rritja e rrezikut klimatik lidhet gjithashtu me uljen e aksesit në ushqim, rritjen e çmimeve dhe çrregullime të tregut.
Ndër vendet më të prekura janë Somalia, Republika Demokratike e Kongos, Afganistani, Haiti dhe Mozambiku. Në një skenar ngrohjeje prej 2°C, analiza parashikon se pasiguria ushqimore do të rritet me më shumë se 30% në këto vende, duke çuar në kriza akute dhe uri, ndërsa në vendet me të ardhura të larta do të rritet mesatarisht me 3%.
Në vendet me të ardhura të ulëta, pasiguria ushqimore pritet të rritet mesatarisht me 22% në skenarin 2°C. Këto vende janë përgjegjëse për 1% të emetimeve globale, ndërsa vendet me të ardhura të larta dhe të mesme të larta kontribuojnë më shumë se 80%.
“Vendet me të ardhura të larta do të përjetojnë goditje të mëdha bujqësore, por ato kanë pasuri për të kompensuar mungesat në tregun global,” tha Bharadwaj.
Ajo gjithashtu iu referua një raporti të shërbimeve të inteligjencës britanike mbi kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare nga kriza klimatike, duke thënë: “Nëse shtetet e brishta dhe të prekura nga konflikti përballen me kolaps sistemik, rezultati është paqëndrueshmëri globale, kolaps shtetëror dhe migrim i detyruar. Ky është kërcënimi i sigurisë kombëtare për të cilin kanë paralajmëruar shefat e mbrojtjes.”
Deklaratat antisemite të artistit, Gjykata holandeze i hap rrugën koncerteve të Kanye West
SpaceX drejt ofertës publike fillestare më të madhe në histori, prej 75 miliardë dollarësh
Dhoma e Përfaqësuesve miraton masën për t’i dhënë fund luftës në Iran
- 12:37 Vuçiç konfirmon se do të shkojë në Mal të Zi për samitin BE-Ballkani Perëndimor
- 12:13 Lamallari për ngjarjen në Maliq: Do të bëhet vlerësim i plotë dhe do të merren masat e duhura
- 12:12 SPAK shpall pretencën për një fraksion të dosjes “Revanshi”, kërkon 98 vjet burg për 7 të pandehur
- 12:10 Autobusi i linjës Durrës-Spitall përfshihet nga flakët në lëvizje
- 12:05 Zvërneci përplas PS-PD në Kuvend, Bido: Ku ishit më 30 maj, pse nuk folët?! Balliu: Ju folët vetëm pse doli videoja
- 11:55 Strazimiri përplaset me Lëvizjen Bashkë për protestën: 70% e qytetarëve ishin demokratë