Vendimi i Kushtetueses, Abdixhiku: Procesi rikthehet në Kuvend, LDK e gatshme të kontribuojë për zgjidhje

25 Mars 2026 | 20:44

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila rrëzoi dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit dhe u dha kohë deputetëve që brenda 34 ditëve të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Abdixhiku në reagimin e tij thekson se LDK e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Ai shton se ky vendim e rikthen procesin në Kuvend dhe u jep deputetëve një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit. Ndër të tjera, Abdixhiku thekson se LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje.

“Të nderuar qytetarë, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka sjellë qartësi të nevojshme në një moment të rëndësishëm institucional për vendin. Lidhja Demokratike e Kosovës e respekton plotësisht këtë vendim dhe e konsideron atë udhërrëfyes për veprimet e mëtejshme politike.

Ky vendim nuk krijon epërsi për askënd. Ai e rikthen procesin në Kuvendin e Republikës dhe u jep deputetëve edhe një afat për të përmbushur detyrimin për zgjedhjen e Presidentit.

Në këtë fazë, siç kemi theksuar vazhdimisht, përgjegjësia kryesore mbetet te shumica parlamentare. Ajo ka pasur kohën dhe mundësinë për ta përmbyllur këtë proces dhe është detyrë e saj të ofrojë zgjidhje. Siç tashmë është e qartë, pa votat e shumicës, ky proces nuk mund të përmbyllet.

Lidhja Demokratike e Kosovës beson se çështje të tilla nuk zgjidhen me imponim, por me marrëveshje politike ndërmjet forcave përfaqësuese. Presidenti i Republikës duhet të jetë figurë bashkuese, që reflekton unitet, garanton balancë institucionale dhe nuk është zgjatim i shumicës.

Në këtë frymë, LDK mbetet e gatshme të kontribuojë në çdo përpjekje serioze për zgjidhje, që garanton stabilitet dhe funksionim normal të institucioneve. Por, njëkohësisht, nuk do të bëhet alibi e dështimeve të askujt.

Në të njëjtën kohë, LDK konsideron se veprimet e Presidentes së Republikës, përfshirë dekretin e saj, kanë qenë në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues dhe të shmangies së një vakumi institucional, në një situatë të paqartë juridike. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përveç se nuk konstaton ndonjë shkelje kushtetuese, ofron interpretimin përfundimtar rreth kësaj çështjeje, interpretim i cili duhet të respektohet nga të gjithë.

Republika ka rregullat e saj. Dhe ato kërkojnë përgjegjësi, maturi dhe vendimmarrje në përputhje me interesin e përgjithshëm.

Në rast të mungesës së një marrëveshjeje politike për 34 ditët e ardhshme, Lidhja Demokratike e Kosovës do të hyjë e bashkuar dhe e përgatitur në çdo proces të ri zgjedhor, me besimin për të ofruar zgjidhje të reja për vendin”, shkruan ai.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rubio: Anëtarësimi i Kosovës në NATO tani nuk është në krye të agjendës së aleatëve

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se zgjerimi i NATO-s për të përfshirë Kosovën aktualisht nuk është në krye të agjendës së aleatëve, por...
08:17 | 04/06/2026

Costa takohet edhe me Osmanin, në fokus hapat e Kosovës drejt integrimit evropian

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani këtë të mërkurë është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Antonio Costa në kuadër të vizitës së tij në Prishtinë....
16:28 | 03/06/2026

Kurti takim me Costan: Kosova është rreshtuar plotësisht me politikën e jashtme të BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa. Zyra e Kurtit ka zbuluar detaje...
15:30 | 03/06/2026