Video e re e Kremlinit, Putin shfaqet në publik me ish-mësuesen

12 Maj 2026 | 19:36

Kremlini ka publikuar një video të presidentit rus Vladimir Putin duke udhëtuar me makinë në Moskë dhe duke takuar ish-mësuesen e tij në hollin e një hoteli, në një lëvizje që shihet si përgjigje ndaj raportimeve të mediave perëndimore se lideri rus ishte izoluar prej javësh në bunkerë nëntokësorë.

Pamjet u publikuan pak ditë pas ceremonive të 9 Majit në Sheshin e Kuq, ku Rusia shënoi përvjetorin e fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Sipas disa mediave perëndimore, përpara paradës ishin marrë masa ekstreme sigurie për Putinin, për shkak të frikës nga një atentat apo tentativë për grusht shteti.

Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë këto raportime, duke i cilësuar si “të pakuptimta”.

Në videon e publikuar nga Kremlini, Putin shihet duke drejtuar një automjet SUV rus, i shoqëruar nga truproja. Ai ndalon pranë një hoteli në qendër të Moskës dhe hyn në holl me një buqetë të madhe lulesh për ish-mësuesen e tij, Vera Gurevich.

Presidenti rus, i veshur me xhinse dhe xhaketë, përqafon 92-vjeçaren, e cila ka qenë mësuesja e tij në Shkollën Nr.193 në Leningradin e dikurshëm, sot Shën Petersburg. Në pamje, Gurevich e puth në faqe dhe i flet pranë veshit, ndërsa më pas Putin ndalon për një bisedë të shkurtër me disa qytetarë në hollin e hotelit.

Videoja vijon me momentin kur presidenti rus ndihmon ish-mësuesen të hipë në automjetin e tij për të shkuar në një darkë në Kremlin.

Sipas Kremlinit, Vera Gurevich ishte e ftuar speciale e Putinit në paradën e Moskës dhe qëndroi disa ditë në kryeqytetin rus për të marrë pjesë edhe në aktivitete kulturore.

Publikimi i këtyre pamjeve interpretohet si një përpjekje e Kremlinit për të treguar një imazh normaliteti dhe për të kundërshtuar pretendimet se Putin ndodhet i izoluar apo ka humbur mbështetjen publike.

Vladimir Putin, i cili ndodhet në pushtet që prej vitit 1999 si president ose kryeministër, u rizgjodh në mars 2024 për një tjetër mandat gjashtëvjeçar.

Ndërkohë, vetëm pak orë pas paradës së 9 Majit, presidenti rus deklaroi se lufta në Ukrainë po i afrohet fundit, duke shprehur sërish besim në fitoren e forcave ruse në front.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

BE-ja gjobit Google me 890 milionë euro për shkelje të konkurrencës

Google është gjobitur me një total prej 890 milionë eurosh nga BE për shkelje të ligjeve të konkurrencës online nga shërbimet e saj të kërkimit...
13:18 | 23/07/2026

Të dërguarit e BE-së bien dakord për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë

Të dërguarit e Bashkimit Evropian ranë dakord për paketën e 21-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të luftës së saj në Ukrainë, duke vendosur kufizime...
12:45 | 23/07/2026

Lavrov-Rubios: E papranueshme që SHBA-të të vazhdojnë shitjen e armëve në Kiev

Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov paralajmëroi Uashingtonin kundër shitjes së vazhdueshme të armëve në Kiev gjatë një takimi me Sekretarin e Shtetit të SHBA-së...
12:44 | 23/07/2026