Si po rrethohet Pedro Sánchez nga skandalet e familjes dhe qeverisë

28 Maj 2026 | 13:37

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez po përballet me një nga periudhat më të vështira politike të mandatit të tij, teksa disa çështje gjyqësore që përfshijnë familjarë, ish-ministra dhe figura të rëndësishme të Partisë Socialiste (PSOE) po tronditin skenën politike në Spanjë.

Tre data kyçe pritet të dominojnë javët e ardhshme: sot nis gjyqi ndaj vëllait të Sánchez, David Sánchez; më 9 qershor zhvillohet seanca paraprake për bashkëshorten e tij, Begoña Gómez; ndërsa më 17 qershor pritet të dëshmojë ish-kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero.

Ndërkohë, hetimet ndaj ish-sekretarit të PSOE-së Santos Cerdán vijojnë, ndërsa Gjykata Supreme pritet të vendosë për skandalin e maskave të pandemisë, ku është i përfshirë ish-ministri i Transporteve José Luis Ábalos.

Çështja më e rëndë lidhet me tenderat e dyshuar korruptivë për blerjen e maskave gjatë pandemisë Covid-19. Në qendër të hetimeve ndodhen José Luis Ábalos dhe ish-bashkëpunëtori i tij Koldo García, të cilët akuzohen për ryshfete dhe favorizim kompanish në këmbim të komisioneve të paligjshme.

Prokuroria antikorrupsion kërkon 24 vite burg për Ábalos dhe 19 vite e gjysmë për Koldo García. Vendimi pritet para pushimeve verore.

Një tjetër dosje e rëndësishme lidhet me ish-numrin dy të PSOE-së, Santos Cerdán. Sipas hetuesve, ai dyshohet se ishte pjesë e një skeme që manipulonte dhënien e kontratave publike në favor të kompanive të caktuara.

Procesi ndaj tij është ende në zhvillim, ndërsa Cerdán u lirua në nëntor pas pesë muajsh paraburgim.

Ish-kryeministri José Luis Rodríguez Zapatero po hetohet për organizatë kriminale, trafik influence dhe falsifikim dokumentesh lidhur me shpëtimin financiar prej 53 milionë eurosh të kompanisë ajrore Plus Ultra Líneas Aéreas pas pandemisë.

Sipas mediave spanjolle, hetuesit dyshojnë për lidhje të mundshme me Venezuelën dhe Kinën. Në zyrën e tij janë sekuestruar mbi 100 bizhuteri, të cilat po vlerësohen nga autoritetet.

Bashkëshortja dhe vëllai i Sánchez në gjykatë

Begoña Gómez, bashkëshortja e Pedro Sánchez, është nën hetim prej më shumë se dy vitesh për trafik influence, korrupsion në biznes dhe keqpërdorim fondesh. Më 9 qershor ajo do të paraqitet në seancë paraprake.

Ndërsa vëllai i kryeministrit, David Sánchez, akuzohet për parregullsi në krijimin e një posti publik kulturor në Bashkinë e Badajozit. Ai pritet të dalë para gjykatës më 4 qershor.

Megjithatë, disa nga këto çështje konsiderohen politikisht të motivuara nga një pjesë e opinionit publik në Spanjë. Hetimet ndaj familjarëve të Sánchez janë nisur pas kallëzimeve të organizatës ultradjathtiste “Manos Limpias”, që shpesh akuzohet për përdorimin e sistemit gjyqësor si armë politike kundër qeverisë socialiste.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Le Pen: Do kandidoj për presidente në vitin 2027

Liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, njoftoi sonte se do të kandidojë për presidente në zgjedhjet e vitit 2027, në një intervistë që dha...
21:30 | 07/07/2026

Presidenti i Këshillit Evropian, Costa: NATO mbetet shtylla e mbrojtjes së Evropës

Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, deklaroi se qytetarët evropianë presin që samiti i NATO-s në Ankara të japë një mesazh të qartë se aleanca...
18:59 | 07/07/2026

Parashikimi i FMN: Shqipëria në listën e ekonomive me rritjen më të lartë në Europë

Sipas parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Europa do të përballet me një periudhë rritjeje ekonomike të ngadaltë gjatë pjesës së mbetur të dekadës. Zona euro...
18:16 | 07/07/2026