Prokuroria e Korçës ngre 4 akuza ndaj autorit të vrasjes së efektivit, hetim dhe për “Shpërdorim detyre” nga policia

7 Qershor 2026 | 16:22

Prokuroria e Korçës ka ngritur katër akuza ndaj Violand Braçellarit, autorit të dyshuar të vrasjes së efektivit të policisë Enea Mekolli dhe plagosjes së kolegut të tij Edison Adri ndërsa ka dyshime edhe për elementë të veprës penale “Shpërdorim detyre”, në lidhje me mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit nga strukturat e policisë.

Prokuroria bën me dije se ndaj shtetasit Violand Braçellari, i arrestuar në flagrancë, rëndojnë veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, si dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, parashikuar nga nenet 79/b, 79/b e 22, 278/1 dhe 280 të Kodit Penal.

Po ashtu Prokuroria e Korçës, njofton se gjithashtu: “Ka dyshime të bazuara se në rastin konkret mund të jenë konsumuar edhe elementë të veprës penale të ‘Shpërdorimi i detyrës’ parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal për mënyrën e organizimit dhe drejtimit të operacionit dhe masat e marra paraprakisht për zinxhirin drejtues”.

“Hetimet për procedimin penal nr. 673 kanë nisur pas ngjarjes së ndodhur më 03.06.2026 në Malin e Bodesë, gjatë një operacioni për kapjen e personit në kërkim V.B., i dënuar më parë me 10 vite burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

Sipas hetimeve, operacioni u mbështet edhe në një kallëzim të bërë nga shtetasi A.K., 32 vjeç, i cili kishte deklaruar se kishte punuar si çoban në bagëtitë e V.B. dhe ishte dhunuar e kanosur me armë zjarri nga ky i fundit.

Mëngjesin e 04.06.2026, rreth orës 07:00, forcat e DVP Korçë janë afruar në zonën e Malit të Bodesë, pranë stallave ku ndodhej i dyshuari. Gjatë rrethimit të objektit, policia është përballur me të shtëna armësh nga V.B., si pasojë e të cilave ka humbur jetën efektivi E.M. dhe është plagosur efektivi tjetër E.A.

Sipas dosjes, V.B. ka tentuar të largohet, por është plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe është kapur pak metra më poshtë stallave.

Prokuroria thekson se ai ka qëlluar ndaj punonjësve të policisë pavarësisht se ata ishin të identifikuar si forca policie dhe mbanin veshje të posaçme, përfshirë jelekë antiplumb. Viktima paraqiste dëmtime në zonën e gjoksit dhe në pjesën e shiritave mbajtës të jelekut.

Po ashtu, gjatë momentit të ndërhyrjes dhe dhënies së ndihmës së parë, sipas hetimeve, i dyshuari ka vijuar të qëllojë me armë drejt policisë, duke plagosur rëndë edhe efektivin E.A. në kokë.

Prokuroria vlerëson se, për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore të veprave dhe të personit nën hetim, i cili rezulton i dënuar më parë dhe në arrati prej vitesh, masa e sigurisë “Arrest në burg” është e domosdoshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Korçës.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Protestuesit marshojnë në rrugët e Tiranës, drejtuesit e mjeteve solidarizohen me ta (VIDEO)

Përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mbledhur të dielën në sheshin “Skënderbej”, nga ku marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në ditën e...
21:24 | 07/06/2026

Shijak, mbi 2500 pjesëmarrës në festivalin ndërkombëtar të motoristëve

Shijaku u kthye mbrëmjen e së shtunës në kryeqendrën e motoristëve, duke mirëpritur mbi 2500 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende të botës dhe...
21:06 | 07/06/2026

6 mbikalime për këmbësorët në pjesën e zgjeruar të autostradës Tiranë-Durrës

Në pjesën e zgjeruar te autostradës Tirane-Durrës do te ndërtohen 6 mbikalime. Ndërtimi i tyre do t’u vije ne ndihme banoreve te zonës qe jetojnë...
20:42 | 07/06/2026