Marta Kos: Shqipëria ka siguruar BE-në se projekti 1.4 miliardë euro do të përmbushë standardet mjedisore

15 Qershor 2026 | 19:46

Shqipëria ka premtuar se një projekt me vlerë rreth 1.4 miliardë euro, i lidhur me dhëndrin e Presidentit të SHBA-së Donald Trump, do të përmbushë standardet mjedisore të Bashkimit Evropian, tha të hënën Komisionerja e Zgjerimit e BE-së, Marta Kos.

Qeveria shqiptare i ka dhënë garanci Komisionit Evropian se projekti kontrovers, i lidhur me Jared Kushner, do të jetë në përputhje me legjislacionin mjedisor, sipas deklarimeve të Komisioneres Kos.

“Kemi marrë siguri nga qeveria e Shqipërisë se do të kryhet një vlerësim i plotë i ndikimit në mjedis dhe se do të respektohen standardet evropiane mjedisore”, tha Kos në një konferencë për shtyp.

Shqipëria është aktualisht një nga vendet kryesore kandidate për anëtarësim në BE dhe konsiderohet ndër më të avancuarat në proces, pas Malit të Zi.

Megjithatë, për të përmbyllur anëtarësimin, Tirana duhet të harmonizojë plotësisht kuadrin e saj ligjor me atë të BE-së, përfshirë edhe standardet për mbrojtjen e mjedisit.

Projekti i turizmit luksoz, me vlerë mbi 1.4 miliardë euro, ka shkaktuar protesta në javët e fundit në Shqipëri. Ai parashikohet të zhvillohet në një zonë me ndjeshmëri të lartë ekologjike përgjatë bregdetit të Adriatikut.

Javën e kaluar, pas shprehjes së shqetësimeve nga Komisioni Evropian, zëdhënësi për zgjerim i Komisionit, Guillaume Mercier, paralajmëroi se autoritetet shqiptare duhet të “veprojnë pa vonesë” për të mos rrezikuar procesin e integrimit në BE.

Këto deklarime u pritën me reagime nga Tirana, pasi u interpretuan si një vlerësim paraprak, ndërkohë që procesi i vlerësimit mjedisor është ende në zhvillim.

Nga ana e saj, Kos mbajti një ton më të balancuar, duke theksuar edhe të drejtën e protestës si një liri themelore në BE dhe për vendet kandidate.

“Ajo që po ndodh ndërsa Shqipëria është në proces anëtarësimi është e rëndësishme. Ky proces është ligjërisht dhe politikisht i detyrueshëm dhe i nënshtrohet shqyrtimit dhe vlerësimit të vazhdueshëm. Kjo ofron garancinë më të fortë se natyra dhe mjedisi i Shqipërisë do të mbrohen sipas standardeve evropiane”, u shpreh ajo.

Në raportin vjetor të progresit për vendet kandidate, Komisioni kishte ngritur shqetësime për një ndryshim ligjor të miratuar në shkurt 2025, i cili parashikon përjashtime për investime mbi 50 milionë euro.

Ky ndryshim do të përfshinte edhe projektin e kompanisë Affinity Partners, e mbështetur nga Kushner, e cila ka përfituar akses të veçantë nga autoritetet shqiptare.

“Sa i përket investimeve të huaja, ato janë të rëndësishme për çdo vend kandidat dhe për shtetet anëtare. Për ne nuk ka rëndësi vetëm origjina e tyre, por nëse zbatohen në përputhje me legjislacionin e BE-së”, shtoi Kos.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Franca shqyrton ndryshimin e orarit të provimeve kombëtare për shkak të valës së të nxehtit

Ndërsa studentët në Francë kanë nisur sezonin e provimeve kombëtare, autoritetet arsimore po përballen me një sfidë gjithnjë e më të madhe: temperaturat ekstreme të...
19:34 | 15/06/2026

Trump e quan Macronin një ‘mik të veçantë’ dhe Francën një ‘vend të shkëlqyer

Takimi dypalësh midis Donald Trump dhe Emmanuel Macron duket se ka nisur mirë. “Emmanuel ka qenë një mik i veçantë i imi. Kemi pasur një...
19:28 | 15/06/2026

OBSH ngre alarm për aksesin e pabarabartë në gjak të sigurt

Në kuadër të Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, OBSH ka bërë të ditur se në nivel global është përmirësuar furnizimi me gjak të sigurt,...
17:07 | 15/06/2026